Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania s’e sheh problematike dërgimin e tankeve në Ukrainë

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Anna Baerbock, deklaroi se ajo nuk do të ishte pengesë për Poloninë në dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, raportoi BBC-ja të hënën.

Ajo theksoi se Polonia nuk ka kërkuar ende leje eksporti.

“Aktualisht, kërkesa nuk është bërë, por nëse do ta bënin, ne nuk do të pengonim”, u shpreh ajo për mediumin LCI të Francës.

Ukraina i ka bërë thirrje Perëndimit që të sigurojë tanke të prodhimit gjerman, që sipas saj, do ta ndihmojnë në mposhtjen e agresionit rus.

Por, Gjermania ende s’i ka siguruar mjetet e blinduara dhe ligjet e saj të eksportit i pengojnë vendet e tjera t’i dërgojnë të tyret. Pro dhënies së tankeve ka dalë edhe kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki.

Ai tha se qeveria e tij do të kërkojë autorizim nga Berlini, por do t’i dërgojë Ukrainës “edhe nëse nuk i jepet autorizimi”.

“Edhe nëse përfundimisht nuk e marrim pëlqimin, në kuadrin e një koalicioni të vogël, ne do t’i dorëzojmë tanket tona, së bashku me të tjerat në Ukrainë”, shtoi Morawiecki.

Ndërsa, këshilltari polak i politikës së jashtme, Marcin Przydacz, tha se e mirëpret njoftimin e ministres Baerbock, por do të donte të dëgjonte qëndrimin e Gjermanisë, nëpërmjet kancelarit Olaf Scholz.

 

Artikuj të ngjashëm