Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania po i trajton si “sulm islamik” përplasjet me vetura në Berlin

Autoritetet gjermane janë duke i trajtuar si sulme me motive islamike një numër përplasjesh me vetura në Berlin të marten mbrëma, kanë raportuar të mërkurën mediat gjermane.

“Sipas njohurive aktuale, ishte sulm me motiv islamik”, ka thënë një zëdhënës i prokurorëve, i cituar nga revista “Focus”. Ai ka shtuar se njëkohësisht ka indikacione që i dyshuari 30-vjeçar me shtetësi irakiane, kishte probleme psikologjike.

Gazeta “Tagesspiegel” me seli në Berlin e ka cituar një zëdhënës të prokurorisë duke thënë se sekuenca e ngjarjeve dhe rezultatet aktuale të hetimit tregojnë se ka mundur të jetë sulm.

Përplasjet që pretendohet të kenë qenë të qëllimshme, kanë lënë gjashtë të lënduar, tre prej të cilëve në gjendje serioze, ka bërë të ditur Departamenti i Zjarrfikësve.