Botë

Gjermania në kërkim të ushtarëve, spiunëve e infermiereve

gjermania

Shërbimi Sekret Gjerman (BND) dhe ushtria gjermane, Bundeswehr, janë të pranishme me stenda rekrutimi në panairin ndërkombëtar të lojërave kompjuterike Gamescom që po zhvillohet në Këln.

Zëdhënësja e BND-së, Julia Linner, ka thënë se në stendën e shërbimit sekret vizitorët mund të marrin pjesë në lojën kompjuterike “BND Legends — Operation Blackbox”, ku lojtarët marrin identitetin e një agjenti të fshehtë për të penguar një sulm kibernetik. Loja, të cilën BND planifikon ta bëjë të disponueshme edhe në një platformë publike, teston aftësinë e lojtarëve në një numër situatash specifike dhe synon të tërheqë të rinj për t'u punësuar në agjencinë e shërbimit sekret të Gjermanisë.

Sipas Linnerit, qëllimi është të sigurohen “punonjës të rinj”. Sipas saj, të rinjtë kanë aftësi që janë të favorshme për t’i shtuar efektivitetin punës së agjencive të spiunazhit.

Bundeswehri në kërkim të ushtarëve

Për arsye të ngjashme, pra rekrutimin e të rinjve dhe të rejave për ushtrinë gjermane, i pranishëm me një stendë në Gamescom është edhe Bundeswehri. Në stendën e Bundeswehrit vizitorët mund të drejtojnë në simulatorë tanke ose të fluturojnë helikopterë, apo të bëjnë një stërvitje të vërtetë fizike të veshur me jelekë antiplumb pranë një posteri gjigant në të cilin shkruhet: “A je gati për nivelin tjetër?”

Sikurse zëdhënësja e BND-së, Linner, edhe zëdhënësi i ushtrisë, Marco Mann, ka thënë se janë “aty ku janë njerëzit që synojmë t’i bëjmë për vete”.

Bundeswehri, i cili ka qenë i pranishëm në Gamescom që nga viti 2009, dëshiron t'u tregojë të rinjve se sa punëdhënës tërheqës është, ka thënë Marco Mann.

Megjithatë kritikët hedhin dyshime duke shtruar pyetjen se sa të përshtatshme janë aktivitete të tilla. Pacifistët si Jürgen Grässlin nga Shoqata Gjermane e Paqes (DFG) thonë: “Në lojërat me vrasje, lojtarët futen në role të ndryshme në të cilat simulojnë vrasjen; ata madje marrin pikë bonus për vrasjen e një kundërshtari”.

Sipas tij “Bundeswehri nuk ka asnjë arsye që të jetë i pranishëm në Gamescom”.

Ministri i Jashtëm në kërkim të infermiereve në Indonezi

Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e shfrytëzoi vizitën e tij në Indonezi, për të rekrutuar infermierë dhe infermiere nga ky vend. Ndërsa të dhënat demografike tregojnë se popullsia e Gjermanisë po plaket, rreth gjysma e 284 milionë qytetarëve të Indonezisë janë nën moshën 30 vjeç.

Në kryeqytetin e Indoneziasë, Xhakarta, Wadephul vizitoi i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë i Indonezisë Budi Gunadi Sadikin një shkollë infermierie dhe foli me nxënësit dhe nxënëset për planet e tyre për të ardhmen.

Me gjithë interesin për fuqi punëtore aktualisht Gjermania lëshon çdo vit vetëm rreth 1,000 viza pune për indonezianë. Berlini thotë se pengesë për lëshimin e vizave janë mungesa e arsimimit të nevojshëm, aftësitë e pamjaftueshme gjuhësore në gjuhën gjermane dhe mungesa e njohjes së certifikatave dhe diplomave nga Indonezia në Gjermani.