Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do t’i bëjë presion Francës për të përshpejtuar procesin e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për dy vendet e Ballkanit Perëndimor pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, krijoi vështirësi për bllokun që të pranojë anëtarë të rinj.
“Tani ne duhet të flasim me Francën, dhe do ta bëjmë këtë intensivisht, se cilat elemente saktësisht duhen përmirësuar apo ndryshuar në procesin e pranimit”, ka thënë Merkeli para gazetarëve në Zagreb të mërkurën. “Duam një marrëveshje për këtë sa më parë që të jetë e mundur në mënyrë që të jemi të gjendje të avancojmë në rastet konkrete”, raporton “Bloomberg”.
Komentet e Merkelit vijnë pasi Macroni vuri veto muajin e kaluar për të bllokuar planin e BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë një takimi të liderëve të bllokut. Macroni thoshte se nuk duhet caktuar ndonjë datë për hapjen e negociatave për anëtarësim derisa BE-ja si tërësi të riorganizojë qasjen e saj të zgjerimit, transmeton Koha.net.
Gjermania ka thënë se perspektiva e hapjes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë e Maqedoninë Veriore do të përmirësonte stabilitetin gjeopolitik në Ballkanin historikisht të paqëndrueshëm. Merkeli të mërkurën tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë perspektivë realiste të pranimit.
“Nuk duhet të distancohemi nga premtimet që i kemi bërë”, tha ajo.
-
Macroni jep sinjale pozitive për negociatat me Shqipërinë, i shqetësuar për ndikimin rus në Serbi
-
Macron vë veto për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, reagimet
-
Merkeli s’arrin të bindë Macronin për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut
-
Merkel: Integrimi i Ballkanit Perëndimor, përgjegjësi strategjike e BE-së
-
Merkeli kundër negociatave të shpejta me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut