Një gjermane u dënua të mërkurën pasi po e mbante një vajzë, e komunitetit fetar Yazidi, si skllave gjatë kohës me grupin e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Ajo u dënua me nëntë vjet e tre muaj burgim.
Gjykata e dënoi 37-vjeçaren për krime kundër njerëzimit, anëtarësimin në organizatë të huaj terroriste dhe dhënie ndihme në gjenocid, raportoi DPA.
Gjykata ka thënë se e dënuara për tre vjet kishte abuzuar vajzën e re “për interesat e veta si skllave”. Ka shpjeguar tutje se bashkëshorti i saj e kishte sjellë vajzën në shtëpinë e tyre dhe vazhdimisht e përdhunonte.
Prokurorët kanë thënë se gruaja udhëtoi në Siri me bashkëshortin në vitin 2014 dhe iu bashkuan IS-it. Më 2015 çifti lëvizi në qytetin e Irakut, Mosul, ku ata e mbajtën vajzën.
E dënuara u arrestua në mars 2022 pasi u soll në Gjermani nga një kamp i Sirisë.
Edhe
Suedia dënon me 12 vjet burgim një grua për gjenocid në Siri
Ky gjyq është një prej disave në Gjermani ku përfshihet gra që kanë udhëtuar në rajone të kontrolluara nga IS-i në Siri dhe Irak.
Në një rast, një gjermane e konvertuar në islam u dënua më 2021 mbi akuzat se ajo lejoi një 5-vjeçare Yazidi të cilën ajo dhe bashkëshorti e mbajtën si skllave, të vdiste nga etja në diell.