Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania bën thirrje për kujdes me Kinën: Të mos gabohet sikurse me Rusinë

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock

Gjermania, në raport me Kinën, duhet t’i shmangë gabimet që i ka bërë në marrëdhëniet e saj me Rusinë gjatë viteve të fundit, ka thënë të martën ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Sipas saj, varësia e njëanshme ekonomike, mund të sjellë shantazhe politike nga vende të caktuara, shkruan Associated Press.

“Para së gjithash duhet të mësojmë nga gabimet e politikës sonë ndaj Rusisë në dekadat e fundit. E them shumë qartë se varësia e njëanshme ekonomike na ekspozon ndaj shantazheve politike”, tha Baerbock në një forum të politikës së jashtme në Berlin, i organizuar nga Instituti Koerber Foundation.

Ajo ka njoftuar se një strategji e sigurisë kombëtare që po hartohet nga Qeveria e kancelarit Olaf Scholz, do të përfshijë një strategji gjermane për Kinën, e cila hyn në kuadër të strategjisë të Bashkimit Evropian.

Qeveritë gjermane gjatë dy dekadave të fundit kanë forcuar lidhjet ekonomike me Rusinë, veçanërisht në sektorin e energjisë, por marrëdhëniet janë prishur pas pushtimit rus të Ukrainës.

Kompanitë gjermane kanë investuar shumë në Kinë vitet e fundit dhe Kina është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Gjermanisë.