Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjeorgjianët festojnë në rrugë pasi morën statusin e vendit kandidat në BE

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën të premten në Tbilisi për të festuar që vendi i tyre mori statusin e vendit kandidat për pranim në Bashkimin Evropian, të cilin ata e shohin si mbrojtje nga Rusia fqinje, shkruan AP.

Me flamuj gjeorgjian dhe të BE-së, qytetarët u mblodhën në sheshin në qendër të Tbilisit.

Të enjten, liderët e BE-së vendosën t'i japin Gjeorgjisë statusin e kandidatit për pranim, të cilin vendi e ka kërkuar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

Presidentja properëndimore Salome Zourabishvili përshëndeti vendimin e BE-së dhe vuri në dukje se anëtarësimi në BE është “vullneti i palëkundur i popullit gjeorgjian”.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar shqetësim serioz në Gjeorgji, një ish-republikë sovjetike që u pushtua nga trupat ruse në vitin 2008.

Në qershor 2022, BE-ja i dha vetëm Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit për pranim dhe kërkoi nga Gjeorgjia reforma gjyqësore dhe zgjedhore, më shumë liri për mediat dhe më pak pushtet për oligarkët.

Edhe Gjeorgjianët me marsh përkrahin anëtarësimin në BE Botë Gjeorgjianët me marsh përkrahin anëtarësimin në BE

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim i përcaktuar në Kushtetutën e Gjeorgjisë dhe, sipas sondazheve, 80 për qind e qytetarëve e mbështesin atë.