Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjenerata Z në krye të Japonisë

Gjatë pothuajse gjithë historisë së vendit, Japonia është drejtuar kryesisht nga burra të moshuar konservatorë. Por tashmë popullsia në plakje e Japonisë dhe fuqia punëtore në tkurrje ka vendosur që udhëheqjen e vendit ta lërë në duar të të rinjve. Këto ndryshime i kryeson Ryosuke Takashima, i cili në moshën 26-vjeçare është bërë kryetari më i ri i vendit

Të rinjtë japonezë po marrin në dorë qeverisjen e vendit.

Zgjedhjet e parakohshme të vendit këtë javë kanë parë një numër fytyrash të reja në qendër të vëmendjes kombëtare – të cilat mbështetësit i kanë cilësuar si ndryshim të mirëpritur për qeverinë e vendit, kryesisht të drejtuar nga burra të moshuar konservatorë.

Shumica e anëtarëve të Parlamentit japonez janë të moshës 50 deri në 70 vjeç – dhe 75% janë meshkuj, sipas të dhënave nga Unioni Ndërparlamentar.

Ndryshimet e udhëheqjes në Japoni i kryeson Ryosuke Takashima, i cili, në moshën 26-vjeçare, është bërë kryetari më i ri i vendit, sipas transmetuesit publik japonez, NHK. Ai u diplomua vitin e kaluar në Universitetin e Harvardit, ku fitoi diplomën e tij bachelor në inxhinieri mjedisore.

“Duke qenë i ri, mendoj se ka mundësi që qytetarët të ndihen më afër meje. Për shkak se nuk kam përvojë në politikë, mund të pyes rreth asaj që nuk kuptoj, të mësoj gjëra të ndryshme dhe dua t'i pasqyroj ato në vizionin tim", u tha ai gazetarëve, sipas NHK-së.

Kryetari i fundit më i ri i kryetarit të vendit ka qenë Kotaro Shishida, i zgjedhur në vitin 1994 në moshën 27-vjeçare, raportoi NHK-ja.

Takashima kishte bërë fushatë për planifikimin e infrastrukturës së gjelbër, duke premtuar se do të krijonte më shumë hapësira publike dhe parqe, si dhe reforma në arsim, kujdesin ndaj fëmijëve dhe kujdesin shëndetësor për të rinjtë. Ai do të fillojë të shërbejë si kryebashkiak i qytetit Ashiya në prefekturën Hyogo më 1 maj.

Pastaj është YouTuberi 26-vjeçar që drejtoi fushatën e tij për Këshillin e Qytetit Hiratsuka - dhe fitoi - me emrin zyrtar "Shin the Hiratsuka YouTuber".

Shin drejton gjithashtu një dyqan kartash Pokemon, por është më i njohur për kanalin e tij në YouTube, ku bën video rreth dyqaneve dhe ngjarjeve lokale në qytet.

Pikërisht gjatë realizimit të këtyre videove dhe bisedës me pronarët e bizneseve vendase, Shin mësoi për ankesat dhe problemet e tyre – duke e frymëzuar atë të kandidonte për këshillin e qytetit dhe të freskonte skenën e qetë politike, sipas faqes së tij të internetit.

“Politikanët japonezë po plaken”, shkruhet në faqen e tij. "Ka shumë shkolla të mesme dhe universitete në Hiratsuka, kështu që nuk ka dyshim që të rinjtë jetojnë këtu".

Si baba i vetëm i një djali 3-vjeçar, ai u fokusua në çështjet e kujdesit ndaj fëmijëve gjatë fushatës së tij, duke theksuar nevojën për mbështetje më të madhe për prindërit dhe ekuilibrin punë-jetë – si dhe mbështetje për të moshuarit, ndërsa popullsia e Japonisë plaket me shpejtësi dhe fuqia punëtore tkurret.

Ayaka Nasuno, 25 vjeçe, është një tjetër politikane e Gjeneratës Z që bëri debutimin e saj pasi fitoi pjesën më të madhe të votave për Këshillin e Qytetit Kawasaki në fillim të këtij muaji.

Pasi u ngacmua si fëmijë, Nasuno vendosi të “krijojë komunitetin e saj” duke organizuar një përpjekje lokale për pastrimin e plehrave – kështu ajo filloi të punonte me votuesit dhe burimet lokale, sipas faqes së saj të internetit dhe llogarive të shumta të mediave sociale.

“Ky është fillimi i karrierës sime si këshilltare, kështu që unë do të punoj shumë për të mirën e qytetit tim”, shkroi ajo në Twitter pas zgjedhjeve, duke falënderuar mbështetësit për votat e tyre.

Të reja, gra dhe ujgure

Një tjetër emër i profilit të lartë në këtë fushatë zgjedhore është 34-vjeçarja Arfiya Eri, prindërit e së cilës janë ujgurë dhe uzbekë dhe që ka bërë thirrje për të drejta më të mëdha të grave dhe barazi gjinore.

Me zgjedhjen e saj në Dhomën e Ulët të Japonisë, Eri është gruaja e parë me prejardhje ujgure që zgjidhet në çdo parlament në botë, sipas Kongresit Botëror të Ujgurëve, i cili e quajti fitoren e saj të rëndësishme për komunitetin japonez ujgur dhe diasporën globale ujgure.

Image
Një tjetër emër i profilit të lartë në këtë fushatë zgjedhore është 34-vjeçarja Arfiya Eri, prindërit e së cilës janë ujgurë dhe uzbekë

Grupi etnik ujgur jeton kryesisht në rajonin perëndimor të Kinës, Xinjiang, ku Pekini akuzohet se ka kryer shkelje të të drejtave të njeriut kundër ujgurëve. Kombet e Bashkuara i kanë quajtur këto veprime "krime kundër njerëzimit" në një raport shtatorin e kaluar, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar më parë Kinën për mbajtjen e deri në 2 milionë ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane në kampet e paraburgimit, akuza që Pekini i ka mohuar vazhdimisht.

Ajo është gjithashtu një nga të paktat anëtare të parlamentit me prejardhje jo-japoneze në atë që mbetet një vend shumë homogjen me nivele relativisht të ulëta imigrimi.

Eri ka lindur në Japoni, por u zhvendos në Kinë si fëmijë, përpara se të studionte në Universitetin Georgetown në SHBA dhe të punonte për Kombet e Bashkuara. Ajo hulumtoi çështjet e ujgurëve gjatë studimeve të saj jashtë vendit, sipas faqes së saj zyrtare të internetit – me një postim që dënonte “shtypjen e papërshkrueshme tragjike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut” që po ndodhin kundër ujgurëve.

Ajo gjithashtu ka kthyer në qendër të vëmendjes politikën dhe shoqërinë e dominuar nga meshkujt në Japoni, duke theksuar çështje të tilla, si hendeku gjinor i pagave, barra e pabarabartë e punëve të shtëpisë dhe kujdesit për fëmijët mbi gratë dhe nevojën që burrat të marrin role më aktive në rritjen e fëmijëve.

Zgjedhja e saj si një "grua 33-vjeçare që punon" do t'i dërgonte një mesazh botës se "Japonia do të ecë përpara", shkroi ajo në blogun e saj vitin e kaluar. (Përktheu: Forca Jashari)

Artikuj të ngjashëm