Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjenerali amerikan: Lufta në Ukrainë do të përfundojë me negociata

Gjenerali amerikan, Mark Milley, ka deklaruar se as Ukraina dhe as Rusia nuk pritet t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake, duke besuar se lufta do të përfundojë në tavolinën e negociatave.

“Pentagoni po rishqyrton rezervat e tij të armëve dhe mund të ketë nevojë të rrisë shpenzimet ushtarake pasi ka parë se sa shpejt janë përdorur municionet gjatë luftës në Ukrainë”, ka thënë Milley në një intervistë për Financial Times.

Ndonëse ai nuk e lidhi varfërimin e rezervave me mbështetjen e tij për bisedimet e paqes, Milley tha se ai ende beson se lufta do të përfundojë në tryezën e bisedimeve.

“Do të jetë pothuajse e pamundur për rusët të arrijnë objektivat e tyre politike me mjete ushtarake. Nuk ka gjasa që Rusia të kapërcejë Ukrainën. Thjesht nuk do të ndodhë. Do të ishte gjithashtu shumë, shumë e vështirë për Ukrainën këtë vit të dëbojë rusët nga çdo centimetër i Ukrainës së pushtuar nga Rusia”, ka shtuar Milley.

Sipas tij, për të ndodhur kjo, do të duhej që të ndodhte edhe kolapsi i ushtrisë ruse.