Botë

Gjeneralët francezë shkaktojnë furi me paralajmërimin për “luftë civile”

“Kohët janë të rënda, Franca është në rrezik”, kanë shkruar gjeneralët e pensionuar, duke shtuar se dështimi për të vepruar kundër “një tume periferike” – një referencë kjo për banorët e zonave me emigrantë – dhe grupeve të tjera të paspecifikuara që “e përbuzin vendin tonë” do të shpjerë drejt “një lufte civile” dhe vdekjes “së mijërave”. Qeveria dhe partitë djathtiste e kanë dënuar ashpër letrën, e cila është publikuar në 60-vjetorin e tentimit të dështuar për grusht shtet nga gjeneralët që e kundërshtonin pavarësimin e Algjerisë nga Franca

Qeveria franceze ka kërcënuar me dënime ushtarët aktivë, të cilët e kanë nënshkruar një letër të hapur të 25 gjeneralëve të pensionuar që kanë paralajmëruar presidentin, Emmanuel Macron, se vendi po shkon drejt një “lufte civile”.

Një numër i pjesëtarëve aktivë të forcave të mbrojtjes besohet se kanë nënshkruar letrën e publikuar javën e shkuar në revistën djathtiste “Valeurs Actuelles”, në të cilën kanë paralajmëruar se politikat “e buta” do të rezultojnë me një kaos që do ta kërkojë “intervenimin e kolegëve tanë aktivë në detyrë, në një mision të rrezikshëm të mbrojtjes së vlerave tona të qytetarëve”.

“Kohët janë të rënda, Franca është në rrezik”, kanë shkruar gjeneralët e pensionuar, duke shtuar se dështimi për të vepruar kundër “një tume periferike” – një referencë kjo për banorët e zonave me emigrantë – dhe grupeve të tjera të paspecifikuara që “e përbuzin vendin tonë” do të shpjerë drejt “një lufte civile” dhe vdekjes “së mijërave”.

Qeveria dhe partitë djathtiste kanë dënuar ashpër letrën, e cila është publikuar në 60-vjetorin e tentimit të dështuar për grusht shtet nga gjeneralët që e kundërshtonin pavarësimin e Algjerisë nga Franca.

Nuk është bërë ende e ditur se sa nënshkrues të listës, përveç ish-gjeneralëve, janë pensionuar nga forcat e mbrojtjes dhe sa prej tyre janë ende anëtarë aktivë.

Ministrja e Drejtësisë, Florence Parly, ka paralajmëruar se ata që janë ende në shërbim do të ndëshkohen për shpërfilljen e ligjit që ua kërkon atyre ruajtjen e neutralitetit politik.

Analisti politik, Jean-Yves Camus, ka minimizuar rëndësinë e letrës, duke theksuar për mediat franceze se nënshkruesit nuk ishin persona me peshë në ushtri.
Letra është publikuar në kohën kur kandidatët kanë nisur debatet për qëndrimet rreth emigracionit, sigurisë dhe përhapjes së radikalizmit islamik në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022.

Një sondazh i agjencisë “Ifop”, i publikuar në gazetën “Journal du Dimanche” të dielën, ka treguar se siguria dhe lufta kundër terrorizmit janë prioritetet e votuesve, pas valës së re të sulmeve xhihadiste, përfshirë rastin e tetorit të 2020-s, kur një mësuesi i është prerë koka shkaku se ua ka treguar nxënësve karikaturat e profetit mysliman Muhamed.

Liderja e së djathtës ekstreme, Marine le Pen, për të cilën sondazhet tregojnë se mund të përballet me Macronin në garën e vitit të ardhshëm, u ka thënë gjeneralëve të pensionuar se i ndan ndjenjat e tyre dhe u ka bërë thirrje për ta mbështetur fushatën e saj.

Zemërimi publik i shkaktuar nga gjeneralët, shumica e të cilëve janë të afërt me qarqet e së djathtës ekstreme, ka ndodhur në mes të një debati të nxehtë në Francë për racizmin dhe kolonializmin, të prirë prej aktivistëve të rinj, jo të bardhë francezë.

Gjeneralët i kanë akuzuar ata për nxitjen “e urrejtjes mes komuniteteve”, me retorikën e tyre dhe me mbështetjen për rrënimin e shtatoreve të figurave franceze të kohës kolonialiste.

Macron, i cili është zgjedhur me një manifest centrist më 2017, por po përballet me kritika se po lëviz nga e djathta, i ka dënuar ato që ai i quajti “teori të shkencave sociale të importuara nga Shtetet e Bashkuara”, duke thënë se e dëmtojnë unitetin francez.

Gjeneralët kanë akuzuar gjithashtu “islamizmin dhe tumat periferike” për shndërrimin e disa pjesëve të vendit në rajone të ndalim-kalimit, ku vlerat franceze më nuk zbatohen.

“Kush mund ta kishte imagjinuar dhjetë vjet më parë se një mësues një ditë do të ekzekutohej me prerje koke, me të dalë nga shkolla”, kanë shkruar ata, duke iu referuar vrasjes së Samuel Patyt nga një emigrant i radikalizuar çeçen, në krimin që kishte nxitur shokimin e Francës.

Ndonëse jashtëzakonisht rrallë, kjo nuk është hera e parë që ish-zyrtarët e lartë ushtarakë kanë kritikuar mënyrën e drejtimit të shtetit.

Ish-shefi i popullarizuar i forcave të armatosura, i cili kishte dhënë dorëheqje pas një përplasjeje me Macronin më 2017, gjenerali Pierre de Villiers, është përmendur si kandidat i mundshëm presidencial, pas publikimit të një libri mbi “riparimin e Francës”. Nënshkruesi kryesor i letrës, Christian Piquemal, është ish-komandant i Legjionit të të Huajve që ishte arrestuar për pjesëmarrje në një demonstratë antiemigracion më 2016.