Njësitet e shpëtimit në Rusi kanë gjetur sot 19 trupa, nga gjithsej 29 sa ishin në bordin e aeroplanit AN-26, që dje u rrëzua në rajonin Kamchatka.
Dje u gjetën pjesët e aeroplanit të rrëzuar dhe sipas agjencisë shtetërore për trafik ajror “Rosavijacija”, bazuar në të dhënat që janë mbledhur deri më tash, nuk pritet të ketë të mbijetuar.
Autoritetet zbuluan mbetjet e aeroplanit rreth pesë kilometra nga aeroporti në vendbanimin Palana.
Sipas autoriteteve ruse, avioni i Ndërmarrjes së Aviacionit Kamchatka ishte rrugës për në Palana nga qyteti Petropavlovsk kur u zhduk.
Kompania tha se avioni ishte në gjendje të mirë para fluturimit.