Trupat e 12 emigrantëve të cilët ishin ngrirë për vdekje, janë gjetur afër kufirit të Turqisë me Greqinë, ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, i cili ka akuzuar rojet kufitare të Greqisë se po i shtyn ata përtej kufirit.
Ministri Soylu ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se 12 trupat e gjetur ishin në mesin e 22 emigrantëve të cilët ishin kthyer mbrapa në Turqi, nga rojet kufitare greke.
Ai ka shtuar se trupat janë gjetur pranë pikës kufitare Ipsala midis Turqisë dhe Greqisë "pa këpucë dhe të zhveshur nga rrobat e tyre".
Ministri nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, por ndau fotografi të paqarta të tetë prej trupave të gjetur, duke përfshirë tre me pantallona të shkurtra dhe bluza.
Soylu akuzoi njësitë kufitare greke se silleshin si "banditë" ndaj emigrantëve, ndërkohë që tregonin simpati ndaj anëtarëve të një rrjeti - që Turqia thotë se qëndron pas një grushti të dështuar ushtarak të vitit 2016 - të cilët janë arratisur në Greqi.
Edhe
Shtatë emigrantë të vdekur pasi varka përplaset në shkëmbinj afër Turqisë
Ai gjithashtu akuzoi Bashkimin Evropian si "të pafuqishëm, të dobët dhe çnjerëzor".
Ndërkohë, ministri grek i Migracionit Notis Mitarachi, ka thënë se vdekjet ishin një "tragjedi", por mohoi me forcë pretendimin se forcat greke i kishin shtyrë migrantët.
“E vërteta pas incidentit nuk ka të bëjë fare me propagandën e rreme të bërë publike nga kolegu im, zoti Soylu”, ka thënë Mitarachi në një deklaratë.
“Këta emigrantë specifikë nuk arritën kurrë në kufi. Çdo sugjerim se ata mund ta kenë arritur atë ose të jenë shtyrë në Turqi është absurditet i plotë”, ka shtuar ai.
Edhe
Gjenden 14 emigrantë dhe një burrë i vdekur në një ishull të vogël grek
Mitarachi akuzoi Turqinë për dështimin në parandalimin e emigrantëve që të afrohen në zonën kufitare dhe të ndërmarrin "këto udhëtime të rrezikshme".