Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gazetat ruse bashkojnë forcat në mbrojtje të gazetarit të arrestuar

Tri gazetat më të mëdha të Rusisë kanë dalë me tekste pothuajse identike në ballinat e numrave të tyre të së hënës, në shenjë solidarizimi me një gazetar të arrestuar ditë më parë në vend.

“Kommersant”, “Vedomosti” dhe “RBK”, tri prej të përditshmeve më të respektuara ruse, kanë publikuar një editorial të përbashkët në ballinat e tyre, me titullin “Unë jam\Ne jemi Ivan Golunov”, duke bërë thirrje me këtë rast për ndërmarrjen e hetimeve transparente rreth rastit të gazetarit të shquar hulumtues, ka raportuar e përditshmja britanike “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.

Golunov ishte rrahur dhe mbajtur nën arrest për 12 orë radhazi, pa pasur qasje në avokat, pasi u ndalua të enjten mbrëma nga policia në Moskë nën dyshimin për shitje narkotikësh. Golunov u transferua të shtunën në arrest shtëpiak, si rrjedhojë e fushatës masive publike të mbështetjes.

Gazetat i hodhën poshtë dëshmitë e paraqitura nga autoritetet lidhur me rastin kundër gazetarit. Mjedisi medial i Rusisë është i fragmentuar dhe një demonstrim i këtillë solidarizimi nëpër media është dukuri e rrallë në vendin e Vladimir Putinit. Që të tri gazetat janë përballur me presion të autoriteteve dhe me censurë të mbuluar.