Gazetarja Alisa Yarovskaya që punonte në televizionin shtetëror Yamal-Region, është larguar nga puna pak ditë pasi i bëri pyetje Vladimir Putinit në një konferencë vjetore të presidentit.
Autoritetet në veri-perëndim të Siberisë raportohet se ishin të pakënaqura me pyetjen e gazetares, por vetë ajo ka mohuar se është shkarkuar nga puna, duke thënë se personalisht kishte ofruar dorëheqjen.
Rasti i saj vë në dritë vështirësitë e gazetarëve rusë kur kritikojnë shtetin për çështje të caktuara. Më 19 dhjetor, Putini mbajti konferencën vjetore, në të cilën mikrofoni u kaloi gazetarëve nga rajoni Yamal.
Yarovskaya e mori mikrofonin, edhe pse zëdhënësi i presidentit kishte vendosur që një tjetër gazetar të bënte pyetje. Ajo filloi pyetjen duke përmendur pasojat që ka pasur ngrohja globale duke shkrirë rrugët detare, të akullta me shekuj, raporton Reuters, transmeton KTV. Mirëpo, ajo kritikoi Qeverinë lokale që për disa vjet nuk ka ndërtuar urë që do të lidhte qytetet Salekhard dhe Labytnangi.
“Guvernatori ynë as që ka tentuar ta kthejë në realitet këtë rrugë, ndërsa në nivelin federal është diskutuar edhe më pak. Pyetja ime është se a mund të përfshihet artileria e rëndë federale në këtë çështje?”, ka thënë Yarovskaya.
Putini i është përgjigjur se përzgjedhja e vetëm një projekti nga Qeveria federale ishte veprim i gabuar, por ka shtuar se ura është e një rëndësie të veçantë për rajonin.
Edhe
Guvernatorja e Bankës Qendrore ruse deshi të japë dorëheqje, Putini s’e lejoi
Por, sipas një raporti të portalit rus Ura, zyrtarët e rajonit të Yamalit ishin të pakënaqur me intervenimin e gazetares, ndërsa televizioni e kritikoi për se e mori mikrofonin pa leje.
Ky portal ka thënë se autoritetet lokale ishin pajtuar para konferencës që të bëhej pyetje lidhur me linjat hekurudhore.
Vetë gazetarja ka thënë se ka dhënë dorëheqje dhe se nuk është shkarkuar, por nuk ka treguar nëse largimi ka të bëjë me pyetjen në konferencën e presidentit.