Botë

Gazetarja australiane thotë se talebanët e arrestuan, e abuzuan dhe e kërcënuan

Një gazetare ka thënë se u detyrua me forcë të tërhiqte publikisht disa nga raportet e saj për Afganistanin, pasi u kërcënua me burgim nga talebanët, raportoi të enjten BBC-ja.

Lynne O’Donnell, kolumniste australiane për gazetën Foreign Policy, tha se ajo u burgos, u abuzua dhe u detyrua të postonte një seri të shkrimeve ku thoshte se artikujt e saj ishin të rremë.

Ajo është larguar nga Afganistani pas lirimit.

Talebanët konfirmuar se kishin burgosur gazetaren dhe pretenduan se ajo kishte falsifikuar raporte.

Afganistani është bërë vend armiqësor për gazetarët, me regjimin aktual që po shtyp lirinë e shtypit.

Që kur morën pushtetin, talebanët shtrënguan edhe disa masa për gratë. Ato ndalohen të udhëtojnë pa një burrë dhe shkollat e mesme janë mbyllur për vajzat.

O’Donnell tha se ajo kishte udhëtuar në Kabul për të parë sesi vendi kishte ndryshuar që kur ishte atje një vit më parë.

Ajo tha se u akuzua për thyerje të ligjeve dhe ofendim të kulturës afgane.

Gazetarja shtoi se talebanët i kanë kërkuar t’i zbulonte burimet e artikujve të saj, por që kishte refuzuar.

Pasi kishte refuzuar kërkesat e talebanëve, ajo ishte detyruar të shkruante një kërkimfalje ose do të përballej me burgim.