Soadat ia dedikon nënës angazhimin e saj në gazetari. “Si fëmijë, nëna ime gjithmonë më thoshte që të përpiqesha për veten time, familjen time dhe komunitetin. Nëna ime më frymëzoi që së pari të isha një qenie njerëzore e mirë, dhe mendoj se zgjodha gazetarinë për shkak të asaj që ajo më mësoi”. Ajo shqetësohet për të ardhmen e saj dhe të ardhmen e gazetarisë, pasi të largohen forcat e SHBA-së dhe NATO-s nga Afganistani
Gazetarët që mbulojnë konfliktin duhet të përshkojnë tehun e shpatës, duke balancuar kërcënimet me jetë nga grupet e armatosura nga njëra anë dhe kërcënimet për mënyrën se si ushtrojnë profesionin e tyre nga forcat e sigurimit të qeverisë nga ana tjetër. Kufijtë ndërmjet propagandës, mbledhjes së inteligjencës dhe gazetarisë ndonjëherë mjegullohen derisa lidhen me raportimin dhe mbrojtjen e burimeve në Afganistan. Bazuar në këto lloj sfidash, shumë gazetarë afganë janë mësuar me një shkallë të vetëcensurës si formë e vetëruajtjes, shkruan “Al-Jazeera” në shkrimin për sprovat e gazetareve afgane.
Disa gazetarë që mbulojnë veprimtaritë e talebanëve, veçanërisht ata me qasje të drejtpërdrejtë tek anëtarët e grupit, janë arrestuar për bashkëpunim me ta dhe për përhapje të propagandës. Në raste të tjera, gazetarët janë detyruar të punojnë për shërbimet e inteligjencës ose të përballen me arrestime. Pastaj ka nga ata që janë rrëmbyer ose vrarë nga talebanët për gjoja se kanë punuar për shërbimet e inteligjencës.
“Punë e turpshme”
Vrasjet e shënjestruara të gazetarëve nga grupet e armatosura janë rritur ndjeshëm dhe vazhdojnë të rriten në kohën e tërheqjes së trupave të SHBA-së dhe NATO-s. Shumë gazetarë afganë janë detyruar të ikin nga vendi, por po përballen edhe me sfidën e gjetjes së një strehe të sigurt edhe jashtë Afganistanit.
Në veçanti, gazetaret femra janë shënjestruar. Rastet përbëjnë shifra rekorde.
Sipas Soadat, ka vetëm një grusht gazetarësh femra. "Ndarja midis gazetarëve meshkuj dhe femra është afërsisht 80 deri në 20. Afganistani është patriarkal dhe gazetaria konsiderohet ende punë e turpshme për gratë sot", shpjegon ajo për “Al-Jazeeran”. Në vitin 2020, shkalla e papunësisë në Afganistan ishte më e lartë se 11 për qind. Gratë, pavarësisht nga shkalla ose përvoja e tyre, shpesh neglizhohen për pozita konkurruese në krejt industritë.
Vrasjet e shënjestruara i kanë bërë qytetarët të ndihen të pasigurt për të ardhmen e vendit. Sipas gazetarit nga Kabuli, Zakarya Hassani, është shënuar ulje e "lirisë së fjalës dhe ka më shumë frikë për çfarë po ndodh në këtë pikë kritike historike të Afganistanit".
Ka pasoja për këtë, thotë ai për “Al-Jazeeran”, në formën e "ikjes së trurit dhe humbjes së shpresës", me gazetarët dhe të tjerët që po largohen nga vendi.
Si dikush që sapo po hynte në këtë industri, Seddique reflekton mbi pasojat e vrasjeve të planifikuara. "Nëse qeveria, bashkësia ndërkombëtare është e qetë për këtë dhunë dhe gazetarët vazhdojnë të shënjestrohen, atëherë askush nuk do të dëshirojë të punojë në këtë fushë”, thotë ajo.
Por derisa po rritej në epokën e talebanëve, ajo e kuptoi që ishte lindur në një vend plot me sfida. “Edhe si fëmijë, ju e dini në çfarë vendi po jetoni dhe me çfarë lloj vështirësish përballeni. E dija që isha pjesë e një shoqërie që përballej me pasiguri, paragjykime, pabarazi gjinore dhe dhunë të tmerrshme ”, thotë ajo, derisa çehrja e hareshme, papritmas merr karakter serioz. "Unë e kam parë luftën me sytë e mi dhe dua të jem pjesë e çdo përpjekjeje për të nxitur ndryshimin”.

Zhgënjim
Mentori i Seddique, Javad - student gazetarie dikur, tani profesor i saj - po e ndihmon për të nxitur këtë ndryshim. Profesori ka sjellje të butë, me karakter zyrtar dhe qasje të rezervuar, por i etur për t'u përfshirë në biseda dhe për të dëgjuar.
Ai studoi në Universitetin e Kabulit nga 2001 në 2004 dhe u bë profesor në të njëjtin institucion. Sa ishte student në universitet, shefi i departamentit të tij ishte një zyrtar taleban. Megjithëse ishin nën sundimin e rreptë të talebanëve, "ai na trajtoi si njerëz", thotë Javad, i ulur në karrigen e zyrës me këmbët e kryqëzuara dhe duart e bashkuara, ndërsa reflekton për atë periudhë.
Studentët pritej të kalonin 60 për qind të kohës së tyre duke studiuar të drejtën islamike dhe 40 për qind në lëndët e tjera. Nuk kishin qasje në kompjuter dhe duhej të transkriptonin leksionet me dorë. Gratë nuk u lejuan të studionin ose të punonin, por vetëm gjatë semestrit të dytë të vitit akademik në 2002 kur talebanët u rrëzuan nga pushteti.
Gjatë mandatit të tij si profesor, atij u dha bursa prestigjioze “Fulbright”, e cila e çoi në Universitetin e Arkansasit në SHBA për të përfunduar studimet master në gazetari. Pasi u diplomua, vendosi të kthehej në Afganistan, sepse donte të vazhdonte punën në universitet, ka treguar ai për “Al-Jazeeran”.
“Të jesh pedagog në shkollën e gazetarisë, më garantoi mundësi punësimi në 2005 pas studimeve të ciklit të parë. Unë atëherë nuk pashë mundësi të tjera ekonomike. Por gradualisht, ndërsa jepja mësim, fillova të vlerësoja domethënien e gazetarisë për karrierën time personale dhe ndikimin e saj shoqëror dhe profesional. Unë po i fuqizoja brezat e rinj të lulëzonin dhe të ishin sytë dhe veshët e komuniteteve të tyre. Kështu që unë doja të vazhdoja mësimin dhe të bëhesha pjesë e një brezi që përmes gazetarisë do të nxiste ndryshimet në vendin tim”, thotë ai.
Ai kujton se ishte qortuar nga të afërmit pse nuk qëndroi në SHBA, por thotë prerazi se mori vendimin e duhur. Vetullat i rrudhen ndërsa shpjegon pse.
"Unë u ktheva, sepse pashë një mundësi për të pasur ndikim, për të edukuar një brez që mund të ndryshojë situatën në të cilën brezat, përfshirë edhe veten time, janë rritur. Këta janë breza të rinj që janë të etur të mësojnë dhe të sjellin ndryshime në Afganistan, dhe mbase në botë”, thotë ai. "Unë nuk mund t'i rregulloj të gjitha problemet në Afganistan, por vendi im ka nevojë për njerëz që janë rritur këtu për të kontribuuar në vend”.
Ai u beson studentëve, si Seddique, dhe i kupton motivet e atyre që u rritën në kohë konflikti.
Javad jetoi edhe epokën sovjetike, edhe atë talebane. Ai kujton se si kishte ecur 16 kilometra në ditë si fëmijë për të shitur perime me një karrocë, ndërsa raketat binin rreth e rrotull tij. Konflikti gjithnjë e më i dhunshëm midis grupeve muxhahedine pas tërheqjes sovjetike e detyroi të linte shkollimin për nëntë vjet dhe iu desh të mbështetej në shkollimin privat më vonë për të zënë hapin për studimet universitare.
"Ndërsa isha duke punuar, shihja me dëshpërim fëmijët e moshës sime që shkonin në shkollë me fletore në duar, pasi njerëzit atëherë rrallë kishin mundësi të blinin çanta shkollore", kujton ai për “Al-Jazeeran”. “Ndonjëherë, në këto raste, ndalesha e mendoja nëse fati im mund të jetë ndryshe kur të rritem, nëse do të mund t’i kthehesha vazhdimit të shkollës”.
“Kjo ndjenjë dëshpërimi më nxiti të ndiqja shkollimin e pjesshëm që do të përputhej me përgjegjësitë e mia ndaj familjes. Kështu që ndoqa mësimin në disa qendra të arsimit për të zënë hapin në disa lëndë si anglishtja, matematika dhe kaligrafia”.
“Këta ishin hapa për fëmijë, por ato më ndihmuan shumë kur isha në gjendje të rifilloja shkollimin zyrtarisht. Përvojat e mia më mësuan për rëndësinë e përkushtimit dhe qëndrueshmërisë. Miliona të rinj në të gjithë Afganistanin janë përballur dhe ende përballen me situata të ngjashme. Akoma shpresoj që si arsimtar të mund të frymëzoj të tjerët që po përpiqen të mos dorëzohen kurrë”, thotë ai për televizionin nga Katari.
Sot ai mbikëqyr një program konkurrues të gazetarisë. Ai pranon vetëm 300 kandidatë nga 2.000 që aplikojnë çdo vit në universitet përmes procesit të testit kombëtar. Ai e di që programi ende ka nevojë për avancime, por sheh shpresë në atë që përfaqëson sot - në mënyrën se si përgatit gjeneratën e ardhshme të gazetarëve afganë - ata që po kërkojnë të rikonformojnë rrëfimin e Afganistanit, ndërsa vendi po shkon drejt një të ardhmeje të pasigurt.
Seddique është pjesë e asaj gjenerate. Ajo pranon se ndonjëherë është e frikshme për dikë që sapo ka filluar punën në këtë industri. Por është e vendosur dhe këmbëngulëse. Ajo troket në dyer derisa të marrë intervista, dhe punon jashtëzakonisht shumë për të hulumtuar dhe kontrolluar faktet, sepse burimet shpesh i japin asaj informacione të rreme. "Nëse njerëzit më injoronin, unë kthehesha çdo ditë derisa dikush më fliste", kujton ajo.
Seddique, e cila është taxhike etnike, ia atribuon këtë mendësi vendosmërie familjes së saj me mendjehapur, veçanërisht babait, për të cilin thotë se "gjithmonë besonte se shtylla kryesore për të ndryshuar këtë vend është arsimi". Dhe ajo frymëzohet nga gazetaret femra që ia kanë hapur rrugën– gazetareve si Soadati.

“Si mund të hesht?”
Në moshën 34 vjeçe, Soadat kujton vetëm dhunën nga fëmijëria e saj. Ajo u rrit në perëndim të Kabulit gjatë luftës civile dhe u detyrua të largohej nga shtëpia e saj kur u sulmua nga një grup i armatosur.
Ndërsa po iknin, ajo dhe motra e saj u plagosën në një sulm me raketa. Në panik, nëna e saj mbuloi plagët e tyre me rrobat e saj, dhe ata vazhduan të arratiseshin me të afërmit e tjerë. Këto kujtime dhe mendimi i nënës së saj duke u përpjekur dëshpërimisht t'i mbrojë, nuk i shkoqen nga mendja.
"Në një shoqëri që nuk kursen as fëmijët, si mund të hesht dhe të mos përmbush misionin tim si gazetare?" - pyet ajo, e ulur e me duart e kryqëzuara në prehrin e saj.
Ajo flet me besim dhe me sytë të përqendruar. Mban qëndrim zyrtar, por miqësor. Është energjike. Ajo filloi si reportere në një radio private.
"Unë e fillova karrierën time me radio, në mënyrë që të dëgjohej vetëm zëri im", thotë ajo, duke shpjeguar se familja e saj ishte e shqetësuar për sigurinë e saj.
Ajo më parë ka punuar si reportere e lartë e politikës dhe tani punon si gazetare e pavarur.
Soadat është aazara, një nga grupet më të mëdha etnike të Afganistanit, që përbën afërsisht 20 për qind të popullsisë prej 38 milionë banorësh. Hazaratë janë persekutuar dhe diskriminuar historikisht e sistematikisht për shkak të besimit të tyre shiit, pavarësisht se u janë dhënë të drejta të barabarta në kushtetutën afgane të vitit 2004.
Që nga viti 2018, ka pasur më shumë se 50 sulme talebane dhe ISIS-i, që synojnë civilët hazara kudo, nga xhamitë deri në spitale. Në maj, u krye një masakër në shkollën e vajzave në një komunitet kryesisht me hazara.
Soadat beson se nëse gazetarët lokalë, të cilët janë më afër sfidave me të cilat përballet vendi, nuk raportojnë për çështje të tilla, nuk do të ketë përparim.
Ajo ia dedikon nënës angazhimin e saj në gazetari. “Si fëmijë, nëna ime gjithmonë më thoshte që të përpiqesha për veten time, familjen time dhe komunitetin. Nëna ime më frymëzoi që së pari të isha një qenie njerëzore e mirë, dhe mendoj se zgjodha gazetarinë, për shkak të asaj që ajo më mësoi”.
Ajo shqetësohet për të ardhmen e saj dhe të ardhmen e gazetarisë pasi të largohen forcat e SHBA-së dhe NATO-s.
"Gazetarët janë në ballë të luftës së vendit, sepse ata nxjerrin fakte. Këta zëra mund të jenë në dëm të talebanëve ose qeverisë afgane, por në secilin rast, ata përballen me kërcënime nga të dyja palët”, shpjegon ajo për “Al-Jazeeran”. "Tërheqja e trupave të huaj padyshim që do të ndikojë në përkeqësimin e situatës së sigurisë”.
Por ajo nuk e ka ndërmend të heqë dorë dhe beson se brezi tjetër i gazetarëve - ata si Seddique - duhet të besojnë fort në atë që po bëjnë. Ata duhet të vazhdojnë të jenë në ballë të frontit, thotë ajo, sepse "gazetaria është një dritare për të ndryshuar”.
"Këtu në Afganistan, është e rrezikshme, por gazetaria është një punë e shenjtë”.
(Fund)
Përktheu: Rexhep Maloku