Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gazetari sirian rrëfen se si e argëtoi të bijën gjatë bombardimeve

Gazetari sirian, Abdallah al-Mohammad, ia ka dalë që tmerrin e sulmeve me raketa, në afërsi të shtëpisë së tij në Idlib, ta kthejë në lojë për të bijën e tij trevjeçare, me qëllim që ajo t’i përballojë me lehtë traumat e luftës.

Videoja e Muhammadit, ku ai shihet tek e argëton të bijën, Salwa, për ta mbytur me të qeshura zhurmën e raketave, u përhap me shpejtësi të madhe në rrjetet sociale dhe u shikua kudo në botë.

“Para dy vjetësh ishte Bajram, fëmijët po luanin me fishekzjarrë. Njëri prej tyre e ndezi një dhe shpërtheu. Vajza u frikësua. Menjëherë e mora dhe dolëm në ballkon. I thashë që të mos frikësohej sepse ishin fëmijët që po luanin dhe ajo i pa vetë të gjithë ata. Njërit prej tyre i kërkova që ta ndezte edhe një, me qëllim që ajo ta shihte. Pastaj filloi të qeshte dhe tani shpërthimet i sheh si lojë. Dy ditë më vonë, një raketë ra në qytet dhe menjëherë i thashë që të mos frikësohej, pasi që ishin fëmijët me fishekzjarrë”, ka thënë Abdallah al-Mohammad.

Ushtria e presidentit sirian Bashar al-Assad, e përkrahur nga rusët, ka avancuar në Idlib që prej muajit dhjetor. Kjo krahinë konsiderohet bastion i fundi i rebelëve të përkrahur nga Turqia dhe javëve të fundit është vënë në shënjestër të një ofensive të re të forcave qeveritare, transmeton KTV.

“Këtë metodë e kam përdorur me të vazhdimisht, por tani është rritur. E dallon zhurmën e një aeroplani dhe raketave. Por, pasi më sheh mua të qetë, edhe ajo reagon njëjtë dhe fillon të qeshë. Kur e di se do të ketë sulm me raketa, menjëherë e marr telefonin dhe i them se është koha të bëjmë foto. Këtë problem e kam kthyer në argëtim, me qëllim që ajo të mos ketë frikë”, tha më tej al-Mohammad.

Edhe Babai i mëson 3 vjeçares lojën e qeshjes për të mposhtur frikën nga bombat në Siri Kuriozitet Babai i mëson 3 vjeçares lojën e qeshjes për të mposhtur frikën nga bombat në Siri

Kombet e Bashkuara kanë raportuar se që nga dhjetori, rreth 1 milion sirianë, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga shtëpitë e tyre, si pasojë e fushatës ushtarake të Sirisë, që ka gjetur përkrahje nga Rusia, me qëllim të dëbimit të forcave opozitare nga veriperëndimi i vendit.

Eksodi pritet të vazhdojë, teksa mijëra civilë po e vazhdojnë ikjen drejt zonave më të sigurta, pranë kufirit me Turqinë.