Botë

Gaza, vend i pasigurt për palestinezët

Evakuimi i zonave specifike të paraqitura në harta online është pjesë e një qasjeje të re që ushtria ka thënë se po e ndërmerr për të shmangur viktimat civile në luftën e saj tetëjavore me Hamasin, pas presionit të madh nga Shtetet e Bashkuara. Por ekziston shqetësimi se strategjia është shumë e ndërlikuar, shumë e varur nga teknologjia dhe ka shumë gjasa të shkaktojë panik si një zgjidhje e zbatueshme.

(BBC) - Agjencitë e ndihmave kanë paralajmëruar se civilët palestinezë nuk kanë se ku të ikin, pas urdhrave të ushtrisë izraelite për evakuimin e dhjetëra mijërave prej tyre nga pjesa jugore e Gazës.

Sipas një harte të publikuar në mediat sociale, të hënën, njerëzit në pjesën veriore dhe qendrore të Khan Younisit duhej të largoheshin menjëherë për hir të “sigurisë së tyre”. Njerëzit u drejtuan që të lëviznin në tri zona tashmë të mbipopulluara në jug dhe në perëndim.

Megjithatë, të martën, ushtria izraelite bëri të ditur se forcat e saj tashmë kishin hyrë në qytet dhe se procesi i largimit ishte shumë i rrezikshëm.

“Mos dilni jashtë. Dalja është e rrezikshme. Ju kemi paralajmëruar”, thuhej në fletëpalosjet e reja, duke paralajmëruar njerëzit që të qëndrojnë brenda strehimoreve dhe spitaleve të caktuara.

Evakuimi i zonave specifike të paraqitura në harta online është pjesë e një qasjeje të re që ushtria ka thënë se po e ndërmerr për të shmangur viktimat civile në luftën e saj tetëjavore me Hamasin, pas presionit të madh nga Shtetet e Bashkuara.

Por ekziston shqetësimi se strategjia është shumë e ndërlikuar, shumë e varur nga teknologjia dhe ka shumë gjasa të shkaktojë panik si një zgjidhje e zbatueshme.

Korrespondenti i BBC-së në Gaza, Rushdi Abu Alouf, i cili aktualisht ndodhet në Stamboll, ka njoftuar se ka folur me të afërmit dhe njerëzit e tjerë në zonat e prekura, të cilët nuk ishin në dijeni për hartën e IDF-së ose nuk mund ta shihnin atë për shkak të qasjes së kufizuar në internet dhe mungesës së furnizimit të rregullt me energji elektrike.

“Kjo është një shaka, jo një hartë, sepse ne nuk dimë se ku të shkojmë”, i ka thënë atij një person i zhvendosur që ishte strehuar në Khan Younis.

Nuk ka madje asnjë garanci se ata do të jenë të sigurt nga bombardimet nëse ikin.

Vazhdimi i fushatës

Para skadimit të armëpushimit të përkohshëm, të premten e kaluar, operacioni tokësor izraelit ishte i fokusuar në veri të Gazës, por pas përfundimit edhe jugu është cak i ushtrisë.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) patën lëshuar një urdhër të përgjithshëm për të gjithë 1.1 milionë njerëzit që jetojnë atje, që të zhvendosen në jug të lumit Wadi për shkak të sigurisë së tyre.

Qindra mijëra civilë e respektuan urdhrin derisa trupat izraelite depërtuan thellë në qytetin e Gazës - me shumë prej tyre që përfunduan në Khan Younis.

IDF-ja gjithashtu u bëri thirrje në mënyrë të përsëritur civilëve në të gjithë Gazën që të zhvendoseshin në al-Mawasi, të cilin zyrtarët e përshkruan si një “zonë humanitare”.

Gjatë një vizite në Izrael të enjten, derisa luftimet ishin ndërprerë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pati njoftuar se ai u kishte thënë udhëheqësve izraelitë se ata duhej të “përpilonin plane humanitare të mbrojtjes civile që minimizojnë viktimat e mëtejshme”.

Ato përfshinin “përcaktimin e qartë dhe të saktë të zonave dhe vendeve në Gazën jugore dhe qendrore, ku civilët mund të jenë të sigurt dhe jashtë zonës së luftimeve”, pati shtuar ai.

Përgjigjja e IDF-së qe publikimi në uebsajtin e saj në gjuhën arabe, të premten, të një “Harte të Zonës së Evakuimit” që ndante Gazën në më shumë se 600 blloqe të përcaktuara me numra, që varionin në përmasa nga rreth 0.03 deri në 25 km katrorë.

Përmes avionëve, autoritetet izraelite hodhën edhe fletëpalosje me kode QR, duke lejuar njerëzit që posedojnë telefona të mençur dhe që kanë internet, që të hapin hartën - dhe të tregojnë vendndodhjen e tyre.

I pyetur në lidhje me këtë qasje të hënën, zëdhënësi i departamentit të shtetit të SHBA-së, Matthew Miller, ka thënë se “kishte parë përmirësime”.

“Ne i kemi parë ata të evakuojnë lagje specifike, në vend të zonave të tëra, kështu që numri i personave të zhvendosur shpresojmë të jetë më i ulët në Gazën jugore sesa në veri”, ka shtuar ai.

Urdhri i ushtrisë

Sidoqoftë, urdhrin e IDF-së që civilët të zhvendoseshin nga Khan Younisi në Rafah, e ka dënuar kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, e cila udhëheq operacionin më të madh humanitar në Gaza dhe strehon 958 mijë njerëz të zhvendosur, në 99 objekte në jug.

“Urdhri krijoi panik, frikë dhe ankth”, ka paralajmëruar Philippe Lazzarini të hënën në mbrëmje. “Të paktën 60 mijë njerëz të tjerë u detyruan të zhvendoseshin në strehimoret tashmë të mbipopulluara të UNRWA-së, me të tjerë që kërkuan të strehoheshin”.

“Urdhri i evakuimit i shtyn njerëzit të përqendrohen në atë që është më pak se një e treta e Rripit të Gazës”, ka shtuar ai.

Lazzarini ka theksuar gjithashtu se “asnjë vend nuk është i sigurt në Gaza, qoftë në jug apo jugperëndim, qoftë në Rafah apo në ndonjë “zonë të sigurt” të quajtur në mënyrë të njëanshme”.

Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, i cili ishte së fundmi në Gaza, ka thënë për BBC-në të martën, se ideja e një “zone të sigurt” ishte një “narrativë e rrezikshme e rreme”.

Ai ka thënë se sipas ligjit ndërkombëtar, Izraeli duhej të siguronte që vendet e evakuimit të kishin kushte që njerëzit të mbijetonin.

“Këto janë pjesë të vogla toke djerrë. Ata nuk kanë ujë, nuk kanë lehtësira, nuk kanë strehim nga i ftohti, nuk kanë kanalizime”, ka shtuar ai, duke iu referuar dukshëm al-Mawasit.

Një këshilltar i lartë i kryeministrit të Izraelit ka hedhur poshtë kritikat e tilla, në një intervistë për BBC-në, të hënën.

“Unë nuk besoj se nuk ka asnjë vend të sigurt”, ka thënë Mark Regev. “Ne kemi caktuar zona më të sigurta ku njerëzit mund të shkojnë. Nëse e besoni propagandën e Hamasit, ne kemi cak vetëm të pafajshmit, apo jo? Por nëse e godasim një strukturë të caktuar, është sepse ka Hamas ose brenda, ose nën të”.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi ka bërë të ditur se 70% e pothuajse 16 mijë njerëzve të vrarë atje që nga fillimi i konfliktit janë gra dhe fëmijë.

Izraeli nisi një fushatë ushtarake në përgjigje të një sulmi ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit më 7 tetor, në të cilin të paktën 1.200 njerëz - përfshirë shumë gra dhe fëmijë - u vranë dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.

Përktheu: Forca Jashari