Gaza është bërë më keq se ferri në Tokë, ka deklaruar presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), Mirjana Spoljariq.
Duke folur në një intervistë për BBC në selinë në Gjenevë, Spoljariq ka thënë se njerëzimi po dështon
“Shtetet nuk po bëjnë mjaftueshëm për t'i dhënë fund luftës, për t'i dhënë fund vuajtjeve të palestinezëve dhe për të liruar pengjet izraelite”, ka thënë ajo, raporton BBC.
Palestinezët, thotë ajo, janë zhveshur nga dinjiteti njerëzor.
Ajo që po ndodh në Gaza, thotë ajo, tejkalon çdo standard të pranueshëm ligjor, moral dhe njerëzor.
KNKK-ja është një organizatë ndërkombëtare që vepron në zona lufte. Ka rreth 130 punonjës në Gaza, shumica e të cilëve janë palestinezë.
Spitali i saj kirurgjikal në Rafah, në Gazën jugore, është objekti mjekësor më i afërt me zonën ku shumë palestinezë janë vrarë gjatë shpërndarjes kaotike të ndihmave në ditët e fundit pranë vendeve të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja.
KNKK-ja ka thënë se të martën në mëngjes ekipet e saj kirurgjikale në Rafah kanë pranuar 184 pacientë, përfshirë 19 persona të vdekur në mbërritje dhe tetë të tjerë që vdiqën nga plagët e tyre pak më vonë.
Ky ishte numri më i lartë i viktimave nga një incident i vetëm në spitalin fushor që nga themelimi i tij pak më shumë se një vit më parë.
KNKK-ja konsiderohet kujdestari i Konventave të Gjenevës. E katërta, e miratuar pas Luftës së Dytë Botërore, është hartuar për të mbrojtur civilët në luftëra.
Rregullat e luftës, thotë Spoljariq, vlejnë për të gjitha palët.
Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 nuk ishin justifikim për ngjarjet aktuale, thotë ajo.
Spoljariq thotë se KNKK-ja është thellësisht e shqetësuar për diskutimet për fitore me çdo kusht, luftë totale dhe dehumanizim.