Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

G7-a me qëndrim të unifikuar për luftën Izrael – Hamas

Ministrat e Jashtëm të G7-ës, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, të mërkurën pas takimeve intensive në Tokio, kanë njoftuar për një qëndrim të unifikuar për luftën Izrael-Hamas.

Në një deklaratë të përbashkët ata dënojnë Hamasin, duke mbështetur të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe duke bërë thirrje për “pauza humanitare” për ta mundësuar ndihmën për civilët në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë të lëshuar pas dy ditëve të bisedimeve, këto vende u përpoqën të balanconin kritikat e qarta ndaj sulmeve të Hamasit kundër Izraelit dhe “nevojës për veprim urgjent” për të ndihmuar civilët në enklavën e rrethuar palestineze.

“Të gjitha palët duhet të lejojnë mbështetje të papenguar humanitare për civilët, duke përfshirë ushqimin, ujin, kujdesin mjekësor, karburantin dhe strehimin, si dhe qasjen për punëtorët humanitarë”, thuhet në deklaratën e hartuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministrat e jashtëm nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia dhe Italia.

“Ne mbështesim pauzat dhe korridoret humanitare për të lehtësuar ndihmën e nevojshme urgjente, lëvizjen civile dhe lirimin e pengjeve”.

Takimi i G7-s ishte, pjesërisht, një përpjekje për të frenuar krizën humanitare që po përkeqësohet.

Ai erdhi “në një kohë të vështirë për vendet tona dhe për botën”, ka theksuar Blinken në komentet për gazetarët, duke shtuar se “uniteti i G7-s është më i fortë dhe më i rëndësishëm se kurrë”.

Edhe Blinken: Izraeli të përqendrohet tek operacionet që kanë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit Botë Blinken: Izraeli të përqendrohet tek operacionet që kanë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit

Ministrat vunë në dukje se G7-ta “po punon intensivisht për ta parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe përhapjen më të gjerë”, siç thuhet, duke përdorur sanksione dhe masa të tjera “për t’i mohuar Hamasit aftësinë për të mbledhur dhe përdorur fonde për të kryer mizori”.

Ata dënuan po ashtu “rritjen e dhunës së kolonëve ekstremistë të kryer kundër palestinezëve”, për të cilën ata thanë se është “e papranueshme, minon sigurinë në Bregun Perëndimor dhe kërcënon perspektivat për një paqe të qëndrueshme”.

Teksa diplomatët u takuan në qendër të Tokios, një agjenci e OKB-së ka njoftuar se mijëra palestinezë në Gaza po ikin në jug në këmbë me vetëm atë që mund të mbajnë me vete, pasi po u mbaron ushqimi dhe uji në veri. Izraeli bëri të ditur se trupat e tij po luftonin me militantët e Hamasit thellë brenda qytetit të Gazës, ku para se të niste lufta banonin rreth 650 mijë persona. Sipas ushtrisë izraelite Hamasi në Gaza ka komandën e tij qendrore dhe një labirint të madh tunelesh./ AP