Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

G7-a do t’i kërkojë OBSH-së hetim të ri për origjinën e koronavirusit

Udhëheqësit në samitin e G7-es do të bëjnë thirrje për një hetim të ri, transparent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë mbi origjinën e koronavirusit, sipas një draft-komunikate.

Thirrja u iniciua nga administrata e presidentit amerikan Joe Biden dhe pas vendimit të tij për të zgjeruar hetimin amerikan për origjinën e pandemisë, me një agjenci të inteligjencës e cila ka thënë se ka rrjedhur nga një laborator i Wuhanit.

Konsensusi i gjerë midis ekspertëve shkencorë mbetet shpjegimi më i mundshëm se Covid-19 iu hodh njerëzve nga një kafshë në një ngjarje natyrore. Një hetim në terren nga ekspertët e OBSH-së në fillim të këtij viti arriti në përfundimin se ishte "jashtëzakonisht e pamundur" që pandemia të fillonte në një laborator.

Sipas Bloomberg News, që ka në dorë draft-komunikatën, G7-a do të angazhohet gjithashtu që të japë 1 miliard doza shtesë të vaksinës COVID-19 gjatë vitit të ardhshëm për të përshpejtuar mbrojtjen globale kundër sëmundjes.

Vendimi mund të zhgënjejë agjencitë e ndihmës që duan që shumica e 8 miliardë njerëzve në botë të vaksinohen, por komunikata do të argumentojë se angazhimi i ri do të rrisë në mënyrë dramatike numrin e njerëzve në botën në zhvillim që të marrin një vaksinë.

Përpara mbërritjes së tij në samit, Bideni ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të angazhoheshin për të blerë 500 milionë doza të vaksinës për shpërndarje në vendet në zhvillim.