“Përkrahja e madhe e publikut për hetimin e plotë të teorisë vjen pas një studimi global shëndetësor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Wuhan, që është kontestuar nga disa fuqi perëndimore dhe shkencëtarë të njohur, që e kanë cilësuar si joadekuat dhe të mbështetur vetëm në të dhëna e ofruara nga zyrtarët kinezë”, ka shkruar “Al-Jazeera”
(Al-Jazeera) – Përditë e më shumë po shtohet përkrahja që komuniteti i shkencëtarëve ta eksplorojë mundësinë e rrjedhjes së koronavirusit nga Instituti për Virologji në Wuhan të Kinës, prej ku dhe ka pasur burimin pandemia e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 3.7 milionë njerëzve në gjithë botën.
Teoria e krijimit të virusit në laborator, sipas raportimit të “Al-Jazeeras”, kishte ndezur debat shkencor qysh në fillim të pandemisë, pasi ishin konfirmuar rastet e para me COVID-19 në qytetin kinez kah fundi i vitit 2019.
Gjatë muajve pasues, hipoteza është ndërthurur mes retorikës inflamatore antikineze të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kornizës ksenofobike të pandemisë, duke shkaktuar një efekt tronditës në mesin e komunitetit shkencor.
“Përkrahja e madhe e publikut për hetimin e plotë të teorisë vjen pas një studimi global shëndetësor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Wuhan, që është kontestuar nga disa fuqi perëndimore dhe shkencëtarë të njohur, që e kanë cilësuar si joadekuat dhe të mbështetur vetëm në të dhëna e ofruara nga zyrtarët kinezë”, ka shkruar “Al-Jazeera”.
Intervenimi i Bidenit
Në raportin e muajit shkurt të OBSH-së, thuhet se virusi “ka të ngjarë apo është shumë e mundshme” të ishte krijuar nëpërmjet një virusi natyral që ka kaluar nga një kafshë te njerëzit, kurse teorinë që është krijuar në laborator e ka cilësuar si “jashtëzakonisht të pamundshme”.
Dy javë më parë, nëpërmjet një adresimi të rrallë të tillë publik për të kërkuar hetime, presidenti amerikan, Joe Biden, ka udhëzuar zyrtarët e agjencive të Inteligjencës që t’i “dyfishojnë” përpjekjet për hulumtimin e origjinës së pandemisë, duke përfshirë çdo mundësi që gjurmët të mund të shpijnë drejt ndonjë laboratori të Kinës.
Pas muajsh të tërë të minimizimit të kësaj mundësie si teori e skajshme, administrata e Bidenit po i përgjigjet si presionit në SHBA, ashtu edhe në botë, që Kina të jetë më e hapur rreth shpërthimit të sëmundjes.
Bideni u ka kërkuar agjencive amerikane të Inteligjencës që t’i raportojnë gjetjet e tyre brenda 90 ditësh. Ai ka udhëzuar laboratorët kombëtarë amerikanë që të asistojnë në punime, ndërsa i ka bërë thirrje Kinës për bashkëpunim në hulumtimet ndërkombëtare mbi origjinën e pandemisë.

Dy mundësi
Richard Ebright, profesor i kimisë dhe biologjisë kimike në Universitetin e Rutgersit, ka thënë se shumë pak gjëra kanë ndryshuar në lidhje me provat shkencore, qëkur të dhënat mbi gjenomin e virusit janë ndarë me botën fillimjanarin e vitit 2020.
Sipas tij, nuk ka bazë të sigurt për ta caktuar probabilitetin për hipotezën e aksidentit natyral, pra teorinë e përhapjes nga kafshët te njerëzit, dhe hipotezën e shpërndarjes aksidentale nga laboratori, ka raportuar “Al-Jazeera”.
Mikrobiologu nga Universiteti i Tulanes, Robert Garry, i cili ishte pjesë e një studimi në mars të vitit 2020, ka thënë për agjencinë se ka më shumë të ngjarë që ky virus ka dalë nga natyra.
Prova rrethanore
Disa ekspertë të tjerë shëndetësorë kanë theksuar se provat rrethanore mund t’i mbështesin teoritë.
Në rastin e teorisë së bartjes nga kafshët te njerëzit, virologët ka kohë që kanë theksuar se tregu i ushqimit të detit në Wuhan, ku shitet një numër i madh kafshësh, ka mundur të jetë vendi ideal për daljen e virusit, i cili ishte përgjegjës për shpërthimet e rasteve të infektimit me koronavirus, përfshirë edhe rastet që kanë shkaktuar shpërthimet e mëparshme të SARS-it dhe MERS-it.
Ndërkohë, Shi Zhengli, shkencëtare e dalluar në Institutin e Virologjisë në Wuhan, ka shkruar një qëndrim në revistën “Science” korrikun e kaluar, në të cilin ka specifikuar se është e pamundur që virusi të ketë dalë nga laboratori i saj. Ajo me këtë rast ka bërë të ditur se ekipi i saj nuk e ka studiuar kurrë këtë virus dhe kur pjesëtarët e tij janë testuar asnjëri nuk ka shfaqur antitrupa ndaj koronavirusit.
Disa zyrtarë të Inteligjencës thuhet gjithashtu se kanë vënë në dyshim transparencën e të ashtuquajturit hulumtim “i fitimit të funksionit” të kryer në Kinë, i cili mund të përfshijë qëllimisht rritjen e bartshmërisë së një virusi për ta studiuar se si evoluon ai.
Të enjten, eksperti kryesor amerikan për sëmundjet ngjitëse, Anthony Fauci, ka kërkuar nga Kina që t’i publikojë të rezultatet mjekësore të studimeve.