Botë

Frontex-i i implikuar në abuzimin e refugjatëve, agjentët akuzohen edhe për dhunë

Agjencia evropiane për mbrojtjen e kufijve, Frontex, është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe papërgjegjësi në mbrojtjen e jetës së njeriut.

Një investigim disamujor i publikuar të hënën në mediet britanike dhe ato gjermane ka zbuluar se në qendër të paligjshmërisë janë oficerët e agjencisë.

Bazuar në dokumentet zyrtare, mësohet se refugjatët e kapur në tentativën për të kaluar ilegalisht kufijtë i janë nënshtruar dhunës çnjerëzore me shkopinj gome, gaz lotsjellës, dhe terrorizimit me qen policie.

Hulumtimi i kryer nga “Retern Networks”, një rrjet gazetarësh të pavarur, tregon se agjentët e Frontex-it që veprojnë në Greqi, Bullgari dhe Hungari janë veçanërisht brutalë me personat e prekur, shkruan “Oranews”.

Megjithëse rastet kanë qenë të njohura, nuk janë marrë masa dhe bashkëpunimi me forcat lokale ka vijuar.

Ndërkohë, agjencia evropiane me qendër në Varshavë është akuzuar edhe për neglizhencë në shpëtimin e emigrantëve që lundrojnë nga Libia drejt Evropës.

Frontex ka investuar 100 milionë euro në një program për patrullimin nga ajri të ujërave të Mesdheut.

Ndërkohë, agjencia prej një viti nuk ka ndërmarrë asnjë mision për shpëtimin e emigrantëve në rrezik jete, nga të cilët mbi 560 kanë vdekur vetëm në 2019-ën.

Prej muajit maj, Frontex është i pranishëm me 50 oficerët e vet edhe në kufirin e gjelbër Shqipëri-Greqi, në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës, për të luftuar kontrabandën e emigrantëve të paligjshëm dhe krimin ndërkufitar.

(Reuters, AFP, dpa, AP)