Rrahja, plaçkitjet, kafshimet e qenve, janë vetëm disa prej tmerreve që përjetojnë imigrantët nga policitë kufitare kur ata dëbohen nga kufijtë e Bashkimit Evropian
Një bashkëpunim joformal midis shteteve ka parandaluar që sivjet me mijëra gra, burra dhe fëmijë të kërkojnë mbrojtje në Evropë. Kështu ka bërë të ditur një raport i përpiluar në bashkëpunim me nëntë organizata për të drejtat e njeriut.
Iniciativa për Mbrojtjen e të Drejtave në Kufij (Prab) ka regjistruar 2 mijë e 162 raste të “kthimit” nëpër kufijtë e Italisë, Greqisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë. Krejt rastet janë shqyrtuar në bazë të marrëveshjeve bilaterale mes vendeve, të cilat rezultuan me anashkalimin e përgjegjësive dhe me shtyrjen jashtë kufijve të BE-së të grupeve të padëshiruara.
Raporti u publikua vetëm pak ditë pasi që Greqia ishte shndërruar në epiqendër të kritikave nga vëzhguesit e të drejtave të njeriut në Evropë, të cilët e kërkuan ndaljen e praktikës së dëbimit të imigrantëve përtej kufijve të saj tokësorë dhe detarë që i ndan me Turqinë.
Heshtja e Greqisë
Në një letër qortuese, komisionarja e Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviq, ka thënë se është detyrë e qeverisë së qendrës së djathtë të Athinës që të hetojë siç duhet dëbimin e imigrantëve.
“Jam thellësisht e shqetësuar që, dy vjet e gjysmë më vonë, akuzat për dëbim vazhdojnë”, shkroi ajo, duke iu referuar një vizite fillestare, gjatë së cilës ishte ngritur çështja e kthimit prapa të imigrantëve. “Mënyra në të cilën raportohet se janë kryer rastet do të ishte qartësisht në kundërshtim me obligimet e Greqisë për të respektuar të drejtat e njeriut”, thotë komisionarja.
Reagimi i autoriteteve greke ishte thjesht hedhja poshtë e akuzave, pavarësisht nga ajo që komisionarja e përshkroi si “mori provash të paraqitura në vitet e fundit”.
Ani pse nuk ka bërë me dije kundërshtinë e saj më të fuqishme, Athina është përgjigjur duke insistuar se policia dhe rojat bregdetare janë udhëzuar që të vepronin “në përputhje të plotë” me obligimet ndërkombëtare të Greqisë si në det ashtu edhe në kufirin me Turqinë përgjatë lumit Evros. Në këtë zonë, zyrtarët grekë punojnë ngushtë me Frontexin, agjencinë evropiane të kufijve.
Incidentet e pretenduara të keqtrajtimit jo vetëm që u hetuan, por u ndëshkuan, thuhej në një letër të përbashkët të ministrave grekë të migracionit, mbrojtjes civile dhe transportit detar. Me këtë letër ata hodhën poshtë të gjitha akuzat.
“Oficerët grekë vazhdimisht kryejnë detyrat e tyre brenda një ambienti të pafavorshëm të informacioneve të rrejshme që burojnë nga shumica e rasteve nga rrjetet e kontrabandistëve”, thuhej në letrën e ministrave. Shtuan se akuzat kanë për qëllim dëmtimin e reputacionit dhe demoralizimin e tyre.
Javën e kaluar, gazeta britanike “The Guardian” ka zbuluar se gjatë pandemisë vendet anëtare të BE-së kanë dëbuar jashtëligjshëm të paktën 40 mijë azilkërkues nga kufijtë e Evropës. Metodat lidhen me vdekjen e më shumë se 2 mijë azilkërkuesve.
Prab, i cili përfshin Këshillin Danez të Refugjatëve (DRC), Shoqatën e Italisë për Studime Juridike mbi Imigracionin (ASGI), Diaconia Valdese (DV), Komitetin hungarez të Helsinkit dhe të tjerë, thotë se “mbi një e treta e kthimeve prapa të azilkërkuesve u shoqërua me shkeljen e të drejtave të njeriut (mohimi i qasjes në procedurën e azilit, abuzimit fizik, sulme, vjedhje, zhvatje dhe shkatërrim i plotë i pronës), nga policitë kufitare të shteteve dhe zyrtarë të tjerë për zbatimin e ligjit”.
Gjatë pandemisë, vendet anëtare të BE-së kanë dëbuar jashtëligjshëm të paktën 40 mijë azilkërkues nga kufijtë e Evropës. Metodat lidhen me vdekjen e më shumë se 2 mijë azilkërkuesve
Tortura kufitare
Sipas dëshmive të mbledhura nga Prab, njerëzit që përpiqen të kalojnë ose sapo kanë kaluar kufirin midis Italisë dhe Francës gjithashtu shpesh raportojnë “shkelje të të drejtave nga zyrtarët francezë të zbatimit të ligjit”. “Pasi u përgjuan nga policia kufitare franceze përgjatë kufirit bregdetar, azilkërkuesit mbaheshin gjatë natës në stacionin kufitar të policisë, u mohohej e drejta e tyre për të aplikuar për azil, ushqim dhe ujë të pamjaftueshëm dhe nuk u sigurohet ndihmë mjekësore ose interpretuese”. Të nesërmen ata u kthyen prapa në Itali.
Prab gjithashtu ka dokumentuar kthimin e azilkërkuesve dhe imigrantëve përtej kufirit tokësor verilindor të Italisë me Slloveninë.
“Në këtë kufi shpërfaqej si është më së miri kthimi prapa i refugjatëve për shkak të një marrëveshjeje të dëmshme të nënshkruar midis Italisë dhe Sllovenisë në 1996, kur të dy vendet ranë dakord për kthimin në një vend të tretë të shtetasve që hyjnë në Itali në mënyrë të jashtëligjshme”.
Në korrik të vitit 2020, gjatë një seance parlamentare në Romë, një përfaqësues italian i Ministrisë së Brendshme konfirmoi se kthimet prapa po ndodhnin “pa asnjë lloj procedure zyrtare administrative… edhe kur ishte lypsur mbrojtja ndërkombëtare”.
Në janar, gjykata e Romës shpalli të paligjshme më shumë se 700 kthime prapa të kryera nga policia italiane në kufirin me Slloveninë.
Refugjatët dhe imigrantët që raportuan kthim mbrapa nga Serbia u ankuan për keqtrajtime nga më të ndryshmet nga zyrtarët kufitar, ndërkaq kufitarët e Rumanisë u akuzuan për dhunë. Në dy raste nga Hungaria, refugjatët dëshmuan se ishin kafshuar nga qentë e patrullës kufitare.
Të intervistuarit raportuan se ishin goditur me shuplaka, shkelma, shkopinj dhe grushte në shpinë, duar dhe këmbë nga policët kufitarë.
Në 2021, më shumë se një e treta e njerëzve të kthyer nga Kroacia në Bosnjë pretenduan se ishin abuzuar fizikisht, ndërsa 62 për qind e refugjatëve i akuzuan për vjedhje, zhvatje ose shkatërrim të sendeve të tyre personale. Mohimi i qasjes në azil u raportua nga 23 për qind e të intervistuarve.
Prab tha se “kthimet zinxhirore nga vendet anëtare të BE-së po ndodhin plotësisht jashtë mekanizmave të vendosur zyrtarisht dhe synojnë të anashkalojnë detyrimet e tyre sipas ligjit evropian dhe ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”.
Ballkani problematik
Që nga fillimi i vitit, 22 persona raportuan se janë kthyer prapa në Maqedoninë e Veriut nga Serbia dhe prej Maqedonisë së Veriut në Greqi. Raportet në terren dhe të dhënat e mbledhura nga informatorët e Shoqatës së Avokatëve të Rinj Maqedonas (Myla) tregojnë se deri në “4 mijë persona mund të jenë kthyer prapa në Greqi vetëm në tre muajt e parë të vitit 2021”.
Shkatërrimi i dokumenteve personale është praktikë e zakonshme e policisë kufitare. Edhe këto raste janë evidentuar dëshmi nga një grup imigrantësh nga Maroku, të cilët thanë se u rrahën dhe u futën me forcë në lumin Evros në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh kaq shumë njerëz që përjetojnë kthimin prapa dhe dhunën kufitare”, thotë Charlotte Slente, sekretare e përgjithshme e DRC-së. “Nuk duhet lënë pa përmendur se shtetet duhet të ndalojnë dhunën dhe këto praktika të jashtëligjshme. Autorët e krimit duhet të marrin përgjegjësinë”.
“Për të shmangur vazhdimin e praktikave të tilla të paligjshme, DRC-ja dhe organizatat e saj partnere rekomandojnë fuqishëm që të krijohet një mekanizëm i pavarur i monitorimit të kufirit për të siguruar që shkeljet e të drejtave të monitorohen dhe të bëhen hetime efektive për provat e paraqitura nga aktorët e shoqërisë civile".
Prab tha se raporti i tij është “maja e ajsbergut”, pasi shumë shkelje të të drejtave kishin mundësi të mos raportoheshin.
Përgatiti: Gent Mehmeti