Në kufirin e mirëkontrolluar në mes SHBA-së dhe Meksikës, pavarësisht legjislacionit dhe forcave të shtuara të rendit, njerëzit e vendosur për të kaluar në SHBA kalojnë sfida të mëdha gjatë rrugëtimit të tyre. E disa vullnetarë janë të vendosur për t’i ndihmuar ata në shtigjet më të rrezikshme
Ndjekja e presidentit Donald Trump ndaj emigrantëve ka nxitur një atmosferë zemërimi në rritje. Disa agjentë kufitarë janë duke e lavdëruar “Babushin Trump”.
Osvaldo Ruiz dhe një shok i tij ishin duke ecur përgjatë disa maleve të izoluara, vetëm pak kilometra larg murit të gjerë kufitar SHBA-Meksikë që kufizon San Diegon, kur agjenti federal i ndaloi në vend.
Ishte në fund të marsit, në mes të mëngjesit dhe Ruiz, i cili punon për një organizatë jofitimprurëse lokale me emrin “Border Angels”, ishte i zënë. Atë ditë ai ishte duke kërkuar për një shteg të ri ku grupi i tij mund të vendoste ujë jetëshpëtues dhe ushqim për valët sporadike të emigrantëve që akoma kalojnë këto zona të shkreta kufitare. Ruiz dhe shoku i tij, anëtar tjetër i “Border Angels”, veçse e dinin se po mbikëqyreshin. Një helikopter po fluturonte mbi ta për disa orë, duke i ndjekur.
Shkurt, pasi dyshja u ul për një pushim kafeje në mes të ngjitjes, agjenti i patrullimit kufitar u shfaq në shteg. Katër apo pesë të tjerë mbetën pas tij në distancë.
Agjenti i parë dukej i zhgënjyer se dyshja nuk ishin emigrantë që po kalonin kufirin ilegalisht.
“Oh, mendova se ju ishit ‘klientë’”, tha ai, derisa u afrua, duke iu referuar emigrantëve që udhëtojnë përmes asaj zone.
Ruizi e përsëriti që nuk ishin.
“U emocionuam”, u tha atyre agjenti i kufitar, sipas Ruizit. “Babai Trump ka bërë një punë të mirë prandaj nuk ka thyerje”.
Ky lloj ndërveprimi i ngarkuar politikisht nuk ka qenë i pazakontë në zonat kufitare të vendit gjatë muajve të fundit. Dhe për rrjetin e organizatave jofitimprurëse në jug të Kalifornisë, që synojnë të ndihmojnë emigrantët dhe azilkërkuesit, atmosfera mbizotëruese shpesh ka qenë më intensive dhe e zemëruar qëkur administrata e Trumpit filloi ndjekjen e saj ndaj imigrantëve përgjatë kufirit jugor.
Grupe si “Border Angels” kanë qenë në fronte të atij ndryshimi. Gjatë ngjitjeve të tyre mujore për të lënë ujë dhe ushqim për imigrantë, takimet me patrullat kufitare (disa të tensionuara, disa më neutrale) janë bërë të shpeshta. Para Trumpit disa vullnetarë të “Border Angels” thanë se shumë rrallë kanë parë agjentë në zona të thella. Furnizimet që ata kanë lënë në shtigje shpesh janë dëmtuar, edhe pse dëmtuesit nuk dihen. Njëherë dikush hodhi një gur të madh në një arkë me ujë dhe la një shënim të shkruar me dorë në spanjisht: “America siempre” (ose “Amerika gjithmonë”). Dhe që nga inaugurimi i Trumpit, organizata ka marrë vazhdimisht mesazhe dhe emaile të pakëndshme nga publiku.
“Ka pasur shumë më shumë urrejtje rreth punës që ne bëjmë”, tha Ruiz.
Por ka akoma nevojë. Nëse emigrantët nuk mund të gjejnë ndihmë bazike derisa kalojnë përgjatë zonave rurale të Kalifornisë, rajoni gjatë verës është pothuajse në temperatura afër ngrirjes gjatë natës, e gjatë verës me temperatura shumë të larta dhe terreni shumë i vështirë mund të shkaktojë lëndime madje edhe vdekje.
Edhe pse numri i personave që kalojnë në SHBA ilegalisht ka rënë shumë krahasuar me vitin e kaluar, disa kanë vazhduar të rrezikojnë. Vetëm këtë mars më shumë se 1,300 emigrantë janë kapur në mes daljeve zyrtare në Kaliforni. Muajin e njëjtë tre persona kanë vdekur derisa kanë tentuar të kalojnë në pjesën e njëjtë që Ruiz ka ngjitur. Më shumë persona janë kapur në pjesën e San Diegos se në të gjithë sektorin e kufirit jugor të këtij viti fiskal.
Po për shumë persona që synojnë azil, aktualisht nuk ka mënyrë legale për të hyrë në SHBA. Një program në telefon i qeverisë që quhej CBP One, ku më herët emigrantët ishin në gjendje të linin një takim me zyrtarët e imigrimit, është ndaluar në janar nga Trumpi.
Melissa Shepard, drejtore për shërbime ligjore për kompaninë ligjore jofitimprurëse Immigrant Deffenders Law Center, tha se ajo është detyruar të ketë biseda të vështira me azilkërkues që janë duke pritur. Kohët e fundit në një strehimore të imigrantëve në Tijuana ajo ka takuar një nënë të dy fëmijëve, burri i së cilës sapo ishte vrarë në qytezën ku jetonin. Pas vdekjes së tij, gruaja ka ikur për në kufi. Melisës i është dashur t’ia tregonte lajmin se të paktën për tani nuk ka rrugë ligjore përpara për të dhe fëmijët e saj.
“Në këtë pikë, fatkeqësisht nuk ka mënyra reale që ata të hyjnë në SHBA ligjërisht, për të kërkuar azil”, tha ajo.
Mungesa e opsioneve legale po ashtu e hap rrugën për kontrabandistë, të cilët iu afrohen emigrantëve në Tijuana dhe u ofrojnë atyre ndihmë për të kaluar kufirin. Dikush mjaftueshëm i dëshpëruar mund ta marrë atë opsion, tha Shepard, veçanërisht duke konsideruar faktin se emigrantët janë akoma në gjendje të aplikojnë për azil nëse janë fizikisht në SHBA – pavarësisht nëse kanë hyrë ligjërisht apo jo.
“Njerëzit janë duke ikur nga situata vërtet të dëshpëruara dhe mendoj nëse mundësia vjen, ata janë të gatshëm ta marrin atë rrezik. Ne e kemi parë atë në mënyrë të përsëritur se pavarësisht politikave të ashpra që vendosen, parandalimi nuk është efektiv”, shtoi ajo.
Shenja mbijetese: nga inhalator deri te prangat
Gjatë një fundjave në prill, një grup vullnetarësh në “Border Angels” u ngjitën në njërën nga shtigjet e tyre mujore për të lënë ujë, në malin e njëjtë ku Ruiz kishte hasur në patrullat kufitare një muaj më herët. Vullnetarët bartën çanta të mëdha shpine të mbushura me ujë, pije, ngrohës duarsh, mbulesa emergjente dhe kënaçe të vogla me sallam dhe peshk ton.
Derisa po ngjiteshin më thellë në zonë, jashtë shtegut me baltë dhe në vegjetacionin e dendur, kishte shenja që kanë kaluar njerëz – dhe që po luftonin për të mbijetuar – gjithkund. Në disa zona sikur të gërmuara të mbrojtura nga pamja nga pemët, me shumë mundësi të përdorura si vendpushim për grupe të ndryshme të emigrantëve, aty kishte shtresa mbi shtresa të rrobave, këpucëve, kapelave dhe çantave të shpinës. Kur u afrohen zonave të banuara, ata shpesh i ndërrojnë rrobat që mund t’i ekspozonin ata që vetëm sa kanë kaluar kufirin, sipas vullnetarëve.
Pasi “Border Angels” vendosin data në secilën kënaçe të ushqimit apo shishe të ujit që ata lënë, ishte e qartë se disa furnizime ishin konsumuar kohët e fundit, një vullnetar mbante një kënaçe të zbrazur të peshkut ton, më datën 22 shkurt.
Por gjërat e tjera të lëna pas, gjatë shtegut, treguan histori më të dhimbshme, të tilla që vullnetarët kurrë nuk do të mund të jenë në gjendje t’i bashkojnë plotësisht. Ata gjetën një inhalator të lënë në një grumbull dheu, pastaj një shishe të qumështit pluhur. Në një shkurre jashtë shtegut të frekuentuar u gjetën një palë pranga të lidhura rreth një dege. Ruiz dhe një anëtar tjetër i “Border Angels” u afruan rreth degës, duke u munduar të zbulonin se çfarë do të ketë mundur të ndodhte. Ndoshta një kontrabandist i ka hedhur ato?
“Thjesht, nuk e dimë”, tha Ruiz.
Si gjithmonë, grupi i ngjitësve e dinin se zyrtarët e migrimit mund t’i dinë lëvizjet e tyre, kjo pjesë e kufirit është shumë e mbikëqyrur vazhdimisht. Afër, më afër murit të kufirit, kulla me teknologji të lartë autonome për mbikëqyrje dhe dronë monitorojnë zonën vazhdimisht. Trumpi kohët e fundit ka propozuar rritjen e buxhetit të Departamentit për Mbrojtjen e Brendshme për vitin e ardhshëm për afër 44 miliardë dollarë, një pjesë e së cilës do të shkonte drejt rritjes së teknologjisë së sigurisë së kufirit.
Pas rreth 2 orësh në ngjitje, një helikopter në të cilën gjendeshin zyrtarë të Doganës së SHBA-së dhe Mbrojtjen Kufitare fluturoi mbi kokat e tyre.
“Ja ku janë. Ne mund të kemi nxitur një nga sensorët, kamerat”, bërtiti Ruizi.
Disa nga vullnetarët e “Border Angels” e kanë provuar gjithë këtë më herët, por të tjerët ishin në ngjitjen e tyre të parë me grupin. Një nga to Belen Hernandez kishte vozitur një orë e gjysmë nga rajoni Orange atë mëngjes që të jetë aty, duke bartur katër shishe të mëdha të ujit dhe furnizime të tjera në shpinën e saj.
Hernandez, e cila punon si nëpunëse ligjore në një firmë ligjore për imigracionin, tha se ajo ka qenë në një aventurë profesionale gjatë dekadës së afërt. Në ditën e parë si asistente ligjore gjatë shtatorit të 2017-tës, gjatë presidencës së parë të Trumpit, administrata e tij veproi duke e ndaluar politikën Daca, apo Veprimin e Shtyrë për të Ardhurit gjatë Fëmijërisë.
Tani, gjërat duken se po lëvizin shpejt e më shpejt, tha ajo. Brenda sistemit ligjor, Hernandez shpesh ndien se duart e saj janë të lidhura në lidhje me aftësinë e saj për të ndihmuar emigrantët, duke përfshirë grupet shumë të rrezikuara sikur të miturit e pashoqëruar. Ata ose kualifikohen për status në SHBA, ose jo.
Por jashtë kufirit, ndihma duket pak më e thjeshtë.
“Edhe pse punoj mbi imigrimin, detyrimisht unë nuk mund t’u japë të gjithëve një ‘Karton të gjelbër’, apo ndonjë lloj statusi”, tha Hernandez, derisa por përgatiste çantën e saj të shpinës për pjesën e dytë të ngjitjes.
“Por kjo është të paktën një gjë që mund të bëjë e që është: ‘Ja, ju keni arritur kaq larg. Më lejo t’ju çoj më përpara duke ju dhënë ushqim dhe ujë”, shtoi ajo.