Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Francezët po zgjedhin ndërmjet centristit Macron dhe nacionalistes Le Pen

Votuesit francezë dalë sot në zgjedhje për të vendosur nëse do t’ia besojnë edhe një mandat presidentit centrist, Emmanuel Macron, apo ta zëvendësojnë me kandidaten e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen. Më shumë se 48 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhje që shihen si vendimtare jo vetëm për Francën, por edhe për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Me qëllim që ta fitojnë balotazhin, dy kandidatët duhet të marrin besimin votuesve që kishin mbështetur dhjetë rivalët e tyre në raundin e parë. Por Macroni dhe Le Peni shihen si figura polarizuese në Francë dhe abstenimi mund të jetë faktor kyç.

“Për mua është e rëndësishme. Jam zgjuar në tetë të mëngjesit me qëllim që të shmang turmat e njerëzve. Dhe është e vërtetë se kam ndjenja të përziera për dy kandidatët. Nuk jam me asnjërin prej tyre, por mendoj se duhet të dalim dhe të votojmë për ndryshim, megjithëse dy kandidatët, të njohur për mua, nuk janë zgjedhja ime kryesore”, ka thënë Lena Kinane, votuese.

Kritikët e Macronit thonë se ai është arrogant dhe e përshkruajnë si president të të pasurve. Në anën tjetër, liderja nacionaliste është akuzuar për lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.

Fushata e ashpër e balotazhit është përcjellë me shqetësim edhe në Bashkimin Evropian. Macroni ka akuzuar Le Penin për racizëm për shkak të planeve për ndalimin e shamisë në hapësirat publike.

“Gjithçka për ne varet nga Evropa. Ne absolutisht na duhet Evropa që të jemi të bashkuar, të fuqishëm, të unifikuar, qysh ka ndodhur gjatë pandemisë. Nëse nuk do të kishte një Evropë, ne nuk do të kishim vaksinat. Disa vende nuk do të kishin vaksinat, vetëm vendet e pasura do t’i siguronin. Andaj, jam për Evropën dhe për botën”, ka thënë Georges Schneider, votues.

Macroni nga kritikët për gabime gjatë menaxhimit të pandemisë së koronavirusit dhe është përballur me protesta të jelekverdhëve pas ngritjes së çmimeve të naftës. Pas luftës në Ukrainë, edhe në Francë qytetarët janë ankuar për ngritje të çmimeve të produkteve elementare.

Edhe Franca voton sot për presidentin, Macron përballë Le Penit Botë Franca voton sot për presidentin, Macron përballë Le Penit

“Me krizën e COVID-it faktikisht edhe me krizën ukrainase, çmimet janë ngritur. Dhe kjo të bën të mendosh përnjëmend për nevojat tua reale dhe mbi të gjitha kush mund të sjellë më shumë fat dhe zhvillim në jetën tonë”, ka thënë Nathanael Lavry, votues.

Macroni dhe Le Peni janë përballur edhe në zgjedhjet e vitit 2017 në balotazh, por presidenti proevropian fitoi me ndihmën e votuesve të rivalëve të mposhtur në rundin e parë, që nuk e mbështetën drejtpërdrejt Macronin, por kundërshtonin mundësinë e ardhjes në krye të vendit të nacionalistes Le Pen, që nuk e kishte përjashtuar edhe mundësinë për daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

Në orën tetë, pas mbylljes së qendrave të votimit, priten rezultatet e projeksioneve të para.