Botë

Franca nuk pret rikthim të gjendjes normale deri në vjeshtën e ardhshme

Franca nuk pritet të kthehet në gjendje normale të jetës para vjeshtës së vitit të ardhshëm. Kjo për arsye se do të nevojitet më tepër kohë nga sa ishte parashikuar të fillonte përdorimi i vaksinave.

Këto deklarime i ka bërë një këshilltar i lartë shkencor i Qeverisë, derisa vaksina thuhet se shihet si burim kryesor i shpresës.

“Vaksinat janë një burim kryesor i shpresës, por nëse shikoni aftësitë e vaksinimit që do të kemi në Francë dhe në Evropë, do të na duhet kohë”, ka deklaruar imunologu Jean-Francois Delfraissy për BFM-në, raporton Reuters.

Ai ka shtuar se prodhimi i vaksinave do të jetë më i ngadaltë nga sa ishte parashikuar javë më parë.

“Nuk do të përballemi me mungesë të vaksinës, por do të kemi diçka që është shpërndarë më shumë me kalimin e kohës”, ka shtuar ai.

Delfraissy ka deklaruar se francezët do të përballen edhe me disa kufizime gjatë periudhës së pandemisë, deri në fund të vjeshtës së vitit të ardhshëm.

Kryeministri francez, Jean Castex, ka deklaruar se në Francë mund të fillojë përdorimi i vaksinës anti-COVID i zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech në javën e fundit të dhjetorit, nëse BE-ja e miraton javën e ardhshme.