Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Paralajmërimi i Macronit nxit rreth 1 milion francezë të vaksinohen

Brenda një ditë të vetme, rreth 1 milion persona në Francë u regjistruan për t'u vaksinuar kundër koronavirusit, pasi presidenti Emmanuel Macron, bëri thirrje për të shpëtuar, siç u shpreh ai, pushimet verore dhe ekonominë franceze.

Sipas të dhënave që ofronte të martën në mëngjes një aplikacion që mbledh informacione rreth procesit të vaksinimit dhe vizitave të mjekësore, i quajtur “Doctolib”, 926,000 persona kishin lënë termine të hënën për vaksinim, një rekord ditor që kur vendi nisi imunizimin në muajin dhjetor. Personat nën moshën 35 vjeç përbënin 65% të atyre që kishin lënë termine.

Presidenti Macron njoftoi të hënën se vaksinimi do të ishte i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor deri më 15 shtator dhe e la të hapur mundësinë e shtrirjes së kërkesës edhe për kategori të tjera të popullsisë.

Franca po përjeton sërish një rritje të infeksioneve, gjë që detyroi presidentin Macron të bënte thirrje për më shumë vaksinime.

Rreth 41% e popullsisë franceze është vaksinuar plotësisht, por ritmi i vaksinimit u dobësua me afrimin e pushimeve verore.

Edhe Mjekët francezë kundërshtojnë ultimatumin e Macronit për vaksinim obligativ Botë Mjekët francezë kundërshtojnë ultimatumin e Macronit për vaksinim obligativ

Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran e mirëpriti interesimin e ripërtërirë për vaksinim. Ai tha të martën në një kanal televiziv se "kjo do të thotë me mijëra jetë të shpëtuara".

Që nga fillimi i pandemisë më shumë se 111.000 persona në Francë kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19. \VOA