Botë

Franca kërkon bllokimin e valutës digjitale të Facebookut në Evropë

Foto: Getty Images

Franca ka thënë se do të bllokojë zhvillimin e valutës digjitale të Facebookut, “Libra”, në Evropë për shkak se kërcënon “sovranitetin monetar” të qeverive.

Ministri francez i Ekonomisë Bruno Le Maire ka thënë se “Libra” është rrezik financiar dhe mund të jetë e hapur për keqpërdorime.

Megjithatë, ai nuk tregoi se si do të mund Franca ta mbajë “Libran” jashtë Bashkimit Evropian.

Gjiganti teknologjik kishte njoftuar planet për monedhën digjitale në korrik, por projekti kishte hasur në skepticizëm, raporton BBC, transmeton Koha.net.

Duke folur për “Libran” në një mbledhje të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, në Paris, Le Maire ka thënë se “Privatizimi eventual i parasë përmban rreziqe të abuzimit në pozitën dominuese, rreziqe të sovranitetit dhe rreziqe për klientët e për kompanitë”.

Ai ka thënë se ka kontaktuar me krerët e Bankës Qendrore të Evropës për të caktuar kushtet për “paranë digjitale publike”.

“‘Libra’ po ashtu përfaqëson një rrezik sistematik nga momenti kur i keni dy miliardë përdorues. Çdo dështim në funksionimin e kësaj valute, në menaxhimin e rezervave të saj, mund të krijojë probleme të konsiderueshme financiare”, ka thënë Le Maire. “Të gjitha këto shqetësime janë serioze. Andaj dua të them shumë qartë: Në këto kushte, nuk mund ta autorizojmë zhvillimin e ‘Libras’ në Evropë”.

“Libra”, që ka përkrahjen e firmave të pagesave “Visa” dhe “Mastercard” si dhe aplikacionet për taksi “Lyft” e “Uber”, pritet të lansohet vitin e ardhshëm. G7-a kishte bërë të ditur në korrik që s’do të lejojë procedimin e “Libras” deri sa të adresohen çështjet e rregullatorëve. Kongresi amerikan është duke e monitoruar impaktin potencial të “Libras”, ndërsa presidenti Donald Trump kishte thënë se “s’është fans” i valutës.