Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Foshnja me ADN-në e tre personave lind në Greqi

Një foshnje me ADN-në e tre personave është lindur në Greqi, pas një trajtimi që kishte nxitur kundërthënie të shumta mbi etikën. Ekspertët mjekësorë të fertilizimit në Greqi dhe Spanjë kanë thënë të enjten se ka foshnja u lind në Greqi, pasi të jetë ngjizur nga tre persona në procesin e fertilizimit që kishte për qëllim tejkalimin e problemit të infertilitetit të nënës.

Foshnja e gjinisë mashkullore u lind të martën, me peshë 2.9 kilogramë dhe nëna e fëmija thuhet të jenë me shëndet të mirë, ka raportuar “BBC”, transmeton “Koha Ditore”.

Mjekët kanë thënë se kanë “shënuar histori në mjekësi”, pasi që mënyra e tyre mund të ndihmojë në kapërcimin e telasheve të infertilitetit për miliona çifte në botën mbarë. Por disa ekspertë në Britani kanë thënë se procedura vë në dyshim parimet etike dhe nuk do duhej të ndërmerrej. Forma eksperimentale e IVF-së përkon me përdorimin e një veze të nënës, spermës së babait dhe një tjetër veze nga një grua donatore. Procedura është aplikuar për ta ndihmuar familjen e prekur nga një sëmundje mitokondriale, e cila mund të bartet nga nëna te foshnja.

Trajtimi është legalizuar në Britani më 2015, por deri më tani asnjë vend tjetër nuk ka propozuar ligje për ta lejuar këtë teknikë. Deri më tani është zbatuar klinikisht vetëm në një instancë, te një familje nga Jordani që ishte trajtuar nga mjekët amerikanë në një klinikë meksikane. Ky rast kishte nxitur asokohe kundërthënie të shumta.

Mjekët që e zbatuan trajtimin e fundit pretendojnë se mitokondria luan po ashtu një rol të rëndësishëm në shtatzënësitë e suksesshme dhe kanë sugjeruar se teknika mund të zbatohet edhe në raste më të tjera, si një trajtim efikas fertiliteti. Nëna 32-vjeçare që iu nënshtrua trajtimit të fundit kishte pasur më herët katër tentime të pasuksesshme të fertilizimit nëpërmjet teknikës së njohur si IVF.

Artikuj të ngjashëm