Qytetarët në krejt Birmaninë kanë marrë pjesë në grevën e heshtur, duke lënë të zbrazëta autostradat dhe qendrat tregtare. Kjo ishte protestë kundër qeverisë ushtarake që ka ashpërsuar qëndrimet ndaj birmanëve.
Yangoni, qyteti më i madh i Birmanisë, përjetoi heshtje të frikshme për shkak se qytetarët ishin mirë të organizuar në planin e tyre.
Protesta e heshtjes është mbajtur në të gjitha qytetet e Birmanisë.
Kjo protestë ka zgjatur gjashtë orë dhe është cilësuar si mënyra më e sigurt për të kundërshtuar regjimin ushtarak në Birmani. Qeveria ushtarake i ka quajtur “lajme të rrejshme” raportet se pjesëtarët e saj kryen një masakër në pjesën veriperëndimore të Birmanisë.
Ky vend është në krizë të madhe politike qëkur ushtria rrëzoi nga pushteti qeverinë e kryeministres Su-Ki.
Protestat e organizuara në rrugët e qyteteve janë thyer nga grushti i hekurt i ushtrisë që ka lënë të vdekur mijëra protestues. Shumë të tjerë dyshohet se janë vrarë pas arrestimit nga policia dhe ushtria.