Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Forcat izraelite vran dy palestinezë në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite kanë vrarë dy palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, të enjten, gjatë atyre që ushtria i përshkroi si konfrontime të dhunshme, raporton Associated Press.

Dy të vrarët janë në mesin e katër palestinezëve që janë vrarë në dy ditët e fundit, në një kohë të tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme.

Ushtria izraelite tha se forcat që operojnë në kampin e refugjatëve Dheisheh në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor hapën zjarr pasi ndaj tyre u hodhën gurë dhe bomba të improvizuara. Ndërkaq, ministria palestineze e Shëndetësisë tha se Ayman Mheisen, 29 vjeç, është në mesin e të vrarëve.

Ministria e Shëndetësisë më vonë tha se një adoleshent u qëllua nga trupat izraelite pranë barrierës ndarëse në perëndim të qytetit të Ramallah, ku është selia e Autoritetit Palestinez. Agjencia e lajmeve Wafa, e drejtuar nga Autoriteti Palestinez, e identifikoi të ndjerin si Auda Sadaqa, 17 vjeç.

Ushtria izraelite tha se tre të dyshuar hodhën një bombë zjarri ndaj forcave që vepronin pranë pengesës, të cilët u përgjigjën me zjarr të vërtetë. Asnjë ushtarë nuk u plagos.

Të mërkurën vonë, forcat izraelite hynë në fshatin Yabed, pranë qytetit verior të Bregut Perëndimor të Jeninit, për të shkatërruar shtëpinë e një sulmuesi të vrarë palestinez, i cili kishte vrarë në mënyrë metodike pesë persona në qytetin izraelit të Bnei Brak në mars.