Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Forcat afgane lirojnë pengjet e marra nga talibanët

Zyrtarët afganë kanë thënë se forcat qeveritare të sigurisë kanë liruar më 20 gusht, 149 pengjet që ishin marrë nga talibanët, disa orë më parë në provincën veriore, Kunduz.

Zëvendës-zëdhënësi i ministrisë së Brendshme afgane, Nasrat Rahimi ka thënë se militantët kanë vazhduar të mbajnë 21 pengje tjera, pasi kanë ndalur disa autobusë që ishin duke udhëtuar drejt Kabulit për shënimin e festës së Kurban Bajramit.

Autobusët janë ndalur në distriktin e provincës, Khan Abad, zonë e kontrolluar nga talibanët, duke nxitur betejë kundër forcave qeveritare që janë pozicionuar në atë zonë.

Rahimi ka thënë se gjatë operacionit të shpëtimit janë vrarë shtatë luftëtarë talibanë, mirëpo kryengritësit kanë dërguar 21 pengjet tjera në një zonë të panjohur.

Një zëdhënës i talibanëve ka konfirmuar më vonë se anëtarët e forcave të sigurisë afgane kanë qenë në mesin e pengjeve.

Ky incident ka ndodhur pavarësisht thirrjes së presidentit afgan, Ashraf Ghani për armëpushim me talibanët teksa shënohet festa islame e Kurban Bajramit.

Më 19 gusht, Ghani ka bërë thirrje për armëpushim “të kushtëzuar” me talibanët, për të shënuar festën e Kurban Bajramit, vetëm disa orë pasi kryengritësit kanë thënë se kanë pushtuar një zonë në provincën, Faryab.

Sipas Ghanit, armëpushimi do të duhej të fillonte më 20 gusht dhe të zgjaste për 3 muaj.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një ceremonie për shënimin e Ditës së Pavarësisë më 19 gusht.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë të kenë mirëpritur këtë hap, që varet nga pjesëmarrja e talibanëve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë në një deklaratë se armëpushimi i fundit ka shpërfaqur “dëshirën e thellë” të popullit afgan për t’i dhënë fund konfliktit, “dhe se “ne besojmë që një armëpushim tjetër do ta afrojë këtë shtet më afër një sigurie të qëndrueshme”.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë përkrahin këtë nismë të popullit afgan dhe Qeverisë afgane, andaj i bëjmë thirrje talibanëve që të marrin pjesë. Ne shpresojmë se populli afgan do ta shënojë këtë vit festën e Eid al-Adha në paqe dhe të lirë nga frika”, është thënë në deklaratë.

Ky njoftim ka ardhur vetëm disa ditë pasi militantët talibanë kanë pushtuar një bazë ushtarake ne rajonin e njëjtë.

Guvernatori i provincës, Naqibullah Fayeq, ka thënë më 19 gusht se distrikti, Balcharagh ka rënë në duart e luftëtarëve talibanë më 18 gusht, pas disa ditësh të luftimeve të ashpra dhe për faktin se ushtarët afganë nuk kanë pranuar përforcime.

Artikuj të ngjashëm