Botë

“Financial Times”: Trump e pyeti Zelenskin nëse Ukraina mund të godasë Moskën dhe Shën Petersburgun

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Sipas burimeve të mirëinformuara për këtë bisedë, kjo qasje përbën një kthesë të madhe nga pozicioni i mëparshëm i Trumpit, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se do t’i jepte fund përfshirjes amerikane në konflikte të huaja.

Në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Vollodimir Zelenski më 4 korrik, presidenti amerikan Donald Trump e inkurajoi privatisht Kievin që të intensifikojë sulmet në territorin rus dhe madje e pyeti Zelenskin nëse Ukraina mund të godasë Moskën dhe Shën Petersburgun, nëse SHBA do t’i siguronte armë me rreze të gjatë veprimi, shkruan gazeta britanike “Financial Times”. 

Sipas burimeve të mirëinformuara për këtë bisedë, kjo qasje përbën një kthesë të madhe nga pozicioni i mëparshëm i Trumpit, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se do t’i jepte fund përfshirjes amerikane në konflikte të huaja.

Biseda me Zelenskin pasoi një telefonatë që Trump kishte zhvilluar një ditë më parë me presidentin rus Vlladimir Putin, të cilën ai e kishte përshkruar si “të keqe”. Frustrimi i Trumpit me refuzimin e Putinit për të pranuar negociata për armëpushim duket se e ka shtyrë presidentin amerikan të përkrahë një qasje më agresive nga ana e Ukrainës. Sipas dy burimeve, Trump e ky pyeti Zelenskin direkt: “A mund ta godisni Moskën? Po Shën Petersburgun?”. Presidenti ukrainas u përgjigj: “Absolutisht, nëse na jepni armët.”

Trump e mbështeti këtë qasje duke thënë se qëllimi ishte që t’u “shkaktohet dhimbje rusëve” dhe të detyrohet Kremlini të ulet në tryezën e bisedimeve. Një zyrtar perëndimor deklaroi se kjo paraqet një ndryshim të qasjes mes partnerëve perëndimorë të Ukrainës, të cilët tani po shqyrtojnë seriozisht dhënien e armëve që mund “ta sjellin luftën në Moskë”. Në vijim të kësaj bisede, përfaqësues amerikanë ndanë në Romë me presidentin Zelenski një listë të mundshme të armëve që mund t’i dërgohen Ukrainës.

Ukraina ka kërkuar raketa Tomahawk, me rreze veprimi rreth 1600 kilometra, por edhe administrata Trump, ashtu si ajo Biden, ka pasur shqetësime për mënyrën si Ukraina do t’i përdorte këto armë. Një takim i mëvonshëm mes Trumpit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Zyrën Ovale, solli njoftimin se SHBA do të furnizojë Ukrainën me sisteme Patriot për mbrojtje ajrore dhe raketa, por pa përmendur dërgimin e armëve të tjera.

Nga ana tjetër, Trump shprehu zhgënjimin e tij ndaj Putinit, duke thënë: “Jam i zhgënjyer me presidentin Putin, sepse mendova se do të kishim një marrëveshje që dy muaj më parë.” Ndërkohë, ish-presidenti rus Dmitri Medvedev e minimizoi deklaratën e Trump, duke thënë se Kremlini nuk u shqetësua fare.

Ukraina, nga ana e saj, ka përdorur në mënyrë të suksesshme edhe dronë vendas me rreze të gjatë për të goditur objektiva ushtarake thellë në territorin rus. Sulmi më i guximshëm ndodhi në fillim të qershorit, kur shërbimi i sigurisë SBU ndërmori një operacion të koduar “Rrjeta e merimangës”, duke përdorur dronë vetëvrasës të futura në Rusi. Këta dronë shënjestruan avionët strategjikë bombardues rusë që ishin përdorur për sulme mbi qytete ukrainase. Të paktën 12 avionë u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan.

Trump, shkruan “Financial Times”, më parë e shprehte synimin për t’i dhënë fund luftës, por tani po e konsideron seriozisht mundësinë e fuqizimit të Ukrainës me armë që mund të godasin zemrën e Rusisë – një zhvillim që rrit rrezikun e përshkallëzimit të luftës në një përballje të drejtpërdrejtë ndërmjet fuqive të mëdha.