Botë

Festimet e mbuluara me fishekzjarrë në mbarë botën shënojnë Vitin e Ri 2023

Vendet në mbarë botën kanë festuar Vitin e Ri, pas dy vjetësh evente të heshtura e të anuluara për shkak të pandemisë COVID-19.

Festimet janë mbajtur nga bregu lindor i Shteteve të Bashkuara, në Brazil, Argjentinë dhe Karaibe, por edhe në qytetet në të gjithë Evropën, Afrikën dhe Azinë, raporton BBC-ja.

Festimet janë mbuluar me fishekzjarrë që shënonin fillimin e vitit 2023.

Në Kinë, turma të mëdha u mblodhën për të përfituar nga kufizimet e hequra së fundmi.

Deri kohët e fundit, vendi kishte ndjekur një qasje zero-Covid, duke vazhduar të zbatonte bllokime të rrepta edhe kur vendet e tjera në mbarë botën dukej se po ktheheshin në normalitet.

Gjatë festimeve ndodhi një gjë e pazakontë. Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-ëen, përdori fjalimin e saj të Vitit të Ri për t'i ofruar ndihmë Kinës për të luftuar rritjen e fundit të rasteve me COVID.

Në Londër, pati një shfaqje me dronë si pjesë e një nderimi për mbretëreshën e ndjerë Elizabeth, ndërsa në Edinburg, mijëra njerëz shijuan festimet e para të plota të Hogmanayt pas tre vjetësh.

Në Londër kishte gjithashtu një homazh për Ukrainën, ku u ndezën dritat me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë - ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Ndërsa në Ukrainë, konflikti me Rusinë vazhdoi pasi alarmet për sulm ajror u dëgjuan pak pas mesnate dhe sipas zyrtarëve pati sulme të tjera në Kiev, megjithatë nuk pati raportime për të lënduar.

Këto sulme alarme raportohet të jenë dëgjuar menjëherë pas fjalimeve të vitit të ri nga Presidenti Vladimir Putin dhe Presidenti Volodymyr Zelenksy.

Putin mbajti një fjalim për Vitin e Ri të rrethuar nga ushtarë të veshur me uniformë, duke thënë se e ardhmja e vendit ishte në rrezik.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt ushtarëve në Ukrainë, udhëheqësi 70-vjeçar vlerësoi përpjekjet e tyre që nga fillimi i pushtimit në shkurt dhe u tha atyre se "drejtësia historike" ishte në anën e tyre.

Ndërkohë, Zelensky iu drejtua rusëve në gjuhën e tyre, duke u thënë se presidenti i tyre "po fshihej pas jush dhe ai po djeg vendin dhe të ardhmen tuaj".

Zelensky u zotua para ukrainasve se trupat e tij do të luftonin deri në "fitore".

"Ne luftojmë si një ekip - i gjithë vendi, të gjitha rajonet tona. Unë ju admiroj të gjithëve. Dua të falënderoj çdo rajon të pamposhtur të Ukrainës", tha ai.

Ndërkohë, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, u zotua të rrisë ndjeshëm prodhimin e armëve bërthamore. Ai testoi gjithashtu raketën e tij të parë balistike të vitit në orët e para të Vitit të Ri.

Kroacia e nisi vitin 2023 me një monedhë të re, duke iu bashkuar eurozonës. Ky vend gjithashtu iu bashkua zonës Shengen, në të cilën njerëzit mund të udhëtojnë pa kontrolle kufitare.