Në burgje dhe kampe të rënda në verilindje të Sirisë, mijëra gra e fëmijë jetojnë ende me hijen e kalifatit. Kurdët paralajmërojnë se celulat e ISIS-it po ringrihen dhe indoktrinimi po vazhdon mes më të vegjëlve. “Fëmijët janë fara e një versioni të ri të ISIS-it,” thonë autoritetet lokale me shqetësim
Në mozaikun e ndërlikuar të Sirisë së re, lufta e vjetër kundër grupit që e quan vetën Shteti Islamik (ISIS) vazhdon në verilindje të vendit, nën kontrollin e forcave kurde. Është një konflikt që prej kohësh ka humbur vëmendjen ndërkombëtare, përderisa diku tjetër po zhvillohen luftëra edhe më të mëdha.
Zyrtarë të kundër-terrorizmit kurd i kanë thënë BBC-së se celulat e ISIS-it në Siri po riorganizohen dhe po shtojnë sulmet.
Një nga ata që dha jetën në këtë luftë ishte Walid Abdul-Basit Shikh Mousa, një 21-vjeçar që kishte pasion motoçikletat. Ai më në fund arriti ta blinte një në janar, por vetëm pak javë më vonë, në shkurt, u vra në përleshjet kundër militantëve të ISIS-it në verilindje të Sirisë.
Walidi kishte braktisur shtëpinë që në moshën 15-vjeçare për t’u bashkuar me Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët. Atëherë e kthyen në shtëpi, sepse ishte i mitur, por tre vjet më vonë e pranuan në radhët e tyre.
Në oborrin e shtëpisë së familjes në qytetin Qamishli, breza të tërë të familjarëve ishin mbledhur për të kujtuar jetën e tij të shkurtër.
“E shoh kudo” Rojin Mohammed”, thotë nëna e tij. “Më ka lënë kaq shumë kujtime. Ishte shumë i dashur dhe i kujdesshëm”.
Walidi ishte më i vogli ndër tetë fëmijët e familjes, dhe më i përkëdheluri i djemve. “Kur donte diçka, vinte më përqafonte dhe më puthte,” kujton ajo. “Më thoshte: ‘A mund të më japësh pak para të blej cigare?’”
I riu u vra gjatë luftimeve disaditore pranë një dige strategjike – trupi i tij u gjet nga kushëriri që e kërkonte në vijën e frontit. Me lot në sy, nëna e tij kërkon hakmarrje kundër ISIS-it.
“Na i thyen zemrat”
“Na i thyen zemrat”, thotë nëna e Walidit. “Varrosëm aq shumë të rinj tanë. Uroj që ISIS të zhduket përgjithmonë. Shpresoj të mos mbetet asnjë prej tyre”.
Por, sipas zyrtarëve kurdë, grupi Shteti Islamik po rekruton sërish dhe po riorganizohet, duke përfituar nga vakumi i sigurisë që u krijua pas rrëzimit të diktatorit shumëvjeçar të Sirisë, Bashar al-Assad, në dhjetorin e kaluar.
“Sulmet e tyre janë shtuar dhjetëfish”, thotë Siyamend Ali, zëdhënës i Njësive të Mbrojtjes së Popullit (YPG) – një milici kurde që ka luftuar ISIS-in për më shumë se një dekadë dhe përbën shtyllën kryesore të Forcave Demokratike Siriane (SDF). “Ata përfituan nga kaosi dhe morën shumë armë nga depot e regjimit të vjetër”.
Sipas tij, militantët kanë zgjeruar zonat e veprimit dhe kanë ndryshuar taktikat e tyre, duke kaluar nga sulmet e shpejta në goditje të drejtpërdrejta ndaj pikave të kontrollit dhe në vendosjen e minave tokësore.
Në zyrën e tij, muret janë mbushur me fotografi të anëtarëve të YPG-së të rënë në luftime kundër ISIS-it.
Për Shtetet e Bashkuara, milicia YPG është një aleate e çmuar në luftën kundër ekstremistëve. Për Turqinë, ajo konsiderohet një organizatë terroriste.
Vetëm gjatë vitit të fundit, sipas zëdhënësit Ali, 30 luftëtarë të YPG-së janë vrarë në operacione kundër ISIS-it, ndërsa 95 militantë të grupit janë kapur.
Autoritetet kurde po përballen me mijëra të dyshuar për anëtarësi në ISIS, si në terren, ashtu edhe në burgje. Rreth 8 mijë persona, nga 48 vende të ndryshme, përfshirë Britaninë, SHBA-në, Rusinë dhe Australinë, mbahen prej vitesh në një rrjet burgjesh në verilindje të Sirisë.
Pavarësisht nëse janë fajtorë apo të pafajshëm, shumica nuk janë nxjerrë para drejtësisë.
Burgu më i madh për të dyshuarit e ISIS-it është al-Sina, në qytetin Al Hasakah, i rrethuar me mure të larta dhe kulla vrojtimi.
Përmes një dritareje të vogël në derën e një qelie, gazetarët mundën të shihnin burrat që dikur përhapën tmerr në afro një të tretën e Sirisë dhe Irakut.
Të burgosurit, të veshur me uniforma kafe dhe me koka të rruara, qëndronin në heshtje mbi dyshekë të hollë, në anët e kundërta të qelisë. Ata duken të dobët dhe të mundur – njësoj si “kalifati” që shpallën në vitin 2014.
Zyrtarët e burgut thonë se këta burra kanë qenë me ISIS-in deri në qëndresën e fundit në qytetin sirian të Baghouz, në mars të vitit 2019.
Brenda burgut të al-Sinas
Disa nga të burgosurit mbajnë maska mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e infeksioneve. Tuberkulozi është shoqëruesi i tyre i përhershëm në burgun al-Sina, ku mbahen për një kohë të pacaktuar.
Aty nuk ka televizor, radio, internet apo telefona dhe shumica nuk e dinë se Assadi është rrëzuar nga ish-militanti islamik Ahmed al-Sharaa. Të paktën, kështu shpresojnë autoritetet e burgut.
Megjithatë, sipas një komandanti të burgut, që nuk mund të identifikohet për arsye sigurie, ISIS po riorganizohet edhe pas hekurave. Ai thotë se çdo krah i burgut ka një “emir”, një udhëheqës që jep fatwa (vendime mbi ligjin islamik).
“Liderët ende kanë ndikim”, tha ai. “Ata japin urdhra dhe mësime të Sheriatit”.
Një nga të burgosurit, Hamza Parvez nga Londra, pranoi të fliste për gazetarët në prani të rojave. Ish-student i kontabilitetit, ai e pranon se u bë luftëtar i ISIS-it në fillim të vitit 2014, kur ishte 21 vjeç – dhe kjo i kushtoi shtetësisë britanike.
Kur u pyet për mizoritë e ISIS-it, përfshirë prerjet e kokave, ai tha se “shumë gjëra të pakëndshme ndodhën”.
“Shumë gjëra ndodhën me të cilat nuk pajtohem”, tha ai. “Por pati edhe gjëra me të cilat pajtohesha.
Unë nuk isha komandant, isha një ushtar i zakonshëm”.
Ai thotë se jeta e tij tani është në rrezik.
“Jam në shtratin e vdekjes… në një dhomë plot tuberkuloz”, tha ai. “Në çdo moment mund të vdes”.
Pas vitesh në burg, Parvez i bën thirrje Britanisë ta kthejë në atdhe.
“Unë dhe qytetarët e tjerë britanikë që jemi këtu në burg, nuk duam të bëjmë dëm”, tha ai. “Po, kemi bërë atë që kemi bërë. U bashkuam me Shtetin Islamik. Kjo nuk është diçka që mund ta fshehim”.
Kur e pyetën si mund t’i bindte njerëzit se nuk përbën më rrezik, ai qeshi.
“Ata thjesht do të duhet të më besojnë”, tha ai. “Është një rrezik i madh që duhet ta marrin për të na kthyer. Kjo është e vërteta”.
Por Britania, si shumë shtete të tjera, nuk ka nxitim ta bëjë këtë.
Kështu, kurdët kanë mbetur me barrën e mbajtjes së luftëtarëve të ISIS-it dhe rreth 34 mijë anëtarëve të familjeve të tyre.
Gratë dhe fëmijët mbahen në kampe të gjera me tenda, të cilat në praktikë janë burgje në ajër të hapur. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se kjo përbën ndëshkim kolektiv, një krim lufte.
Një prej këtyre kampeve, kampi Roj, ndodhet në skajin e shkretëtirës siriane, i përfshirë nga era dhe i djegur nga dielli.
Aty, një grua londineze, Mehak Aslam, kërkon me ngulm të largohet. Ajo pranon të takojë gazetarët në zyrën e drejtuesit të kampit – një figurë e imët, e mbuluar me shami dhe me maskë në fytyrë, që ecën me çalim.
Ajo tregon se vite më parë është rrahur nga forcat kurde dhe plagosur nga një copë predhe.
Pasi pranon intervistën, ajo flet gjatë dhe hapur për jetën në kamp.
Fëmijët e “kalifatit” që po rriten në kampet e Sirisë
Mehak Aslam thotë se në Siri kishte ardhur bashkë me bashkëshortin e saj bengalez, Shahan Chaudhary, vetëm “për të sjellë ndihma humanitare” dhe pretendon se jetesën e siguronin duke “pjekur torta”. Tani ai ndodhet në burgun al-Sina, ndërsa të dyve u është hequr shtetësia britanike.
Nëna e katër fëmijëve mohon se iu bashkua ISIS-it, por pranon se i solli fëmijët në territoret e tij, ku vajza e saj më e madhe humbi jetën pas një shpërthimi.
“E humba në Baghouz”, thotë ajo me zë të ulët. “I ra një granatë ose një bombë e vogël. Ia theu këmbën dhe copa metali i hynë në shpinë. Vdiq në krahët e mi.”
Aslam tregon se fëmijët e saj vuajnë nga probleme shëndetësore në kamp, përfshirë më të voglin, tetëvjeçar. Por ajo pranon se kishte refuzuar një ofertë që fëmijët e saj të ktheheshin në Britani – sepse ata nuk donin të largoheshin pa të.
“Fatkeqësisht, fëmijët e mi janë rritur pothuajse vetëm në kamp”, thotë ajo. “Nuk njohin një botë tjetër. Dy prej tyre kanë lindur në Siri dhe nuk kanë parë kurrë Britaninë. Shkuarja te familjarë që nuk i njohin do të ishte shumë e vështirë. Asnjë nënë nuk duhet të detyrohet të ndahet nga fëmijët e saj”.
Por, kur u përball me faktin se kishte zgjedhur të vinte në kalifatin ku ISIS-i vriste civilë, përdhunonte e skllavëronte gra jazidi dhe hidhte njerëz nga ndërtesat, ajo u përgjigj: “Nuk isha në dijeni për çështjen e jazidëve në atë kohë”, tha ajo. “As që njerëzit hidheshin nga ndërtesat. Ne nuk pamë asgjë nga ato. E dinim që ishin shumë ekstremë”.
Ajo shton se është në rrezik edhe brenda kampit, sepse është e njohur dëshira e saj për t’u kthyer në Britani.
“Më kanë shënjestruar si ‘apostate’, edhe brenda komunitetit tim”, thotë ajo. “Fëmijëve të mi u kanë hedhur gurë në shkollë”.
E pyetur nëse do të donte rikthimin e një kalifati të ISIS-it, ajo u përgjigj: “Ndonjëherë gjërat shtrembërohen”, tha ajo. “Nuk besoj se ajo që pamë ishte një përfaqësim i vërtetë i Islamit”.
Pas një interviste njëorëshe, Mehak Aslam u kthye në tendën e saj, pa asnjë shenjë se do të largohej ndonjëherë nga kampi.
Sipas Hekmiya Ibrahim, menaxheres së kampit Roj, aty jetojnë nëntë familje britanike, mes tyre 12 fëmijë. Ajo shton se 75 për qind e grave dhe fëmijëve në kamp ende mbajnë ideologjinë e ISIS-it.
Por Roj nuk është vendi më i keq. Atmosfera është shumë më e tensionuar në kampin al-Hol, ku mbahen rreth 6 mijë të huaj dhe ku radikalizimi është më i thellë.
Gazetarët hynë aty nën shoqërimin e armatosur të rojave kurde. Sapo u futën, zhurma e fortë e goditjeve në kazanë përhapej nëpër kamp. Rojat shpjeguan se ky ishte sinjali për ardhjen e të huajve – dhe një paralajmërim për sulm të mundshëm.
Gratë e mbuluara plotësisht me të zeza u mblodhën shpejt. Njëra prej tyre, si përgjigje ndaj pyetjeve, kaloi gishtin në fyt – në shenjë prerjeje.
Disa fëmijë të vegjël ngritën gishtin tregues, një gjest që në lutjen islame simbolizon besimin në një Zot, por që është përvetësuar nga ISIS-i si simbol i kalifatit. Vizita përfundoi shpejt, për arsye sigurie.
Jashtë kampit, forcat e SDF-së patrullojnë pa pushim.
Në muajt e fundit, grupet e armatosura janë fokusuar në përpjekjet për të liruar djemtë e rinj nga kampi – të ashtuquajturit ‘këlyshët e kalifatit’. Shumica e përpjekjeve pengohen, por jo të gjitha.
Një brez i ri po rritet mes telave me gjemba, duke trashëguar trashëgiminë e dhunshme të ISIS-it.
“Jemi të shqetësuar për fëmijët”, thotë Hekmiya Ibrahim, duke folur sërish nga kampi Roj.
“Na dhemb zemra kur i shohim duke u rritur në këtë moçal dhe duke përqafuar këtë ideologji”.
Sipas saj, indoktrinimi i hershëm që po u bëhet fëmijëve mund t’i kthejë ata në ekstremistë edhe më të ashpër se prindërit e tyre. “Ata janë fara e një versioni të ri të Shtetit Islamik”, thotë ajo. “Madje, më të fuqishëm se ai i mëparshmi”.