Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Feja pa traditë nuk ka kuptim

Teologia gjermane e islamit dr. Muna Tatari thotë: feja pa traditë nuk ka kuptim, ideja e selafistëve për nivelizim (rrafshim) kulturor është shkatërruese dhe dallimet në islam janë pozitive. Tatari është anëtarja e parë myslimane e Këshillit Gjerman të Etikës. Në një intervistë me revistën DER SPIEGEL ajo shpjegon se përse ka mendim negativ mbi selafistët (vahabistët).

1. Nuk përfaqësoj mendim privat fetar, unë jam e obliguar të respektoj etosin universitar, pra lirinë e ligjërimit dhe hulumtimit. Qëllimi im është të shpalos shumëllojshmërinë dhe dallimet, të cilat ekzistojnë brenda islamit.

2. Për shembull do e kisha vështirë ta vlerësoj islamin e versionit vahabist siç i vlerësoj versionet e tjera. Qasja ime është iluministe, qëndrimi im është ai i tradicionalizmit kritik (Critical Traditionalism).

3. Nuk e shoh traditën si bllok monolit të versioneve të besimit, por si dinamike. Qëllimi im është që nga tradita të zhvillojë oferta të dobishme për të tashmen, duke i shpalosur në bazë të kritereve emancipuese dhe paqebërëse. Dikur shumëllojshmëria në islam është ndier si fuqi, sepse ajo të shtyn të mendosh dhe e shpie përpara argumentimin. Nëse e hapni një vepër teologjie nga koha e lulëzimit të islamit, pra rreth vitit 1000 pas Krishtit, shpesh e gjeni këtë fjali: “Dijetarët nuk janë të një mendimi”. Kjo është qasje shkencore, e cila në mënyrë të habitshme i afrohet mënyrës sonte të kuptimit modern: së pari duhet të zbulohet se ka mendime të ndryshme, pastaj mbi bazën e tyre mund të krijosh një mendim.

4. Në ligjëratën e saj të parë në Universitetin e Paderbornit Muna Tatari e kishte krahasuar selafizmin me McDonald’s-in. Në intervistë për DER SPIEGEL ajo e shpjegon këtë krahasim kështu: një burger i McDonald’s-it e ka shijen e njëjtë gjithkund në botë. Këtu fillon kritika ime ndaj selafizmit: selafistët e nivelizojnë (rrafshojnë) shumëllojshmërinë kulturore, por kjo shumëllojshmëri e bën fenë tonë gjallëruese. Islami turk është ndryshe nga ai i Azisë juglindore, ndërsa ky është ndryshe nga ai arab; xhamitë në Poloni duken ndryshe nga xhamitë në Kinë. Këto dallime ekzistojnë për shkak të dallimeve mes njerëzve, të cilët në këto vende praktikojnë besimin e tyre, shijet e tyre, mentalitetin e tyre. Kush e grabit këtë, ai grabit edhe mundësitë për të mësuar nga historia e islamit dhe për t’u inspiruar. Çmimi është shumë i lartë.

Edhe Kolumne Allah, ejvallah

5. Religjioni ka potencial të nxjerr në sipërfaqe emocionet. Një shtresim kulturor mund t’ju hapë emocioneve rrugë konstruktive. Por selafizmi e ka grabitur trashëgiminë kulturore dhe ka thënë: ne dimë më mirë ta çojmë islamin drejt ardhmërisë nëse nuk e bartim me vete tërë traditën. Ne orientohemi vetëm në historinë e hershme. Kjo ide lindi në fund të shekullit 19-të, në fillim të shekullit të 20-të. Teza ka qenë se shoqëritë islamike po bëhen gjithnjë e më të plogëta për shkak të traditës së pasur, andaj s’mund të konkurrojnë më me Perëndimin.

6. Braktisjen e traditës dhe dijes sot e konsiderojnë si diçka atraktive shumë të rinj myslimanë, thotë Muna Tatari. Dhe kjo ndodh për shkak se selafizmi krijon një ndjenjë të përbashkët. Por kjo është ndjenjë e përbashkët pa rrënjë, thotë dr. Tatari. Kush i merr seriozisht traditat, kush i reflekton ato dhe i riinterpreton, shumë më lehtë mund të përballet me sfidat aktuale.