Bunkerët kundër bombave ishin element kyç në doktrinën e gatishmërisë së ish-Jugosllavisë kundër sulmit bërthamor. Bunkerët e periudhave të Luftës së Ftohtë dhe Luftës së Dytë Botërore janë kthyer në qendër të vëmendjes.
Ata ishin shndërruar në galeri moderne të artit, mirëpo së fundmi shtetet janë duke menduar t’i kthejnë në funksionin e tyre origjinal për shkak të kërcënimeve të Rusisë se mund të përdorë armë bërthamore.
Më i njohuri nga krejt bunkerët nëpër Evropë, në zonën malore 60 kilometra larg Sarajevës në Bosnjë, është kështjella e madhe nëntokësore e ndërtuar për të mbrojtur udhëheqësit ushtarakë dhe ata politikë.
Atëherë për këtë bunker e dinin vetëm presidenti jugosllav, katër gjeneralë dhe një numër i vogël i ushtarëve që e kanë ruajtur atë. Bunkeri i Konjiqit në vitin 2010 ishte shndërruar në një galeri moderne të artit.
Selma Haxhihuseinoviq, përfaqësuese e agjencisë qeveritare që menaxhon bunkerin në Bosnjë, thotë se mjedisi global i tanishëm tani është i ngjashëm me atë të Luftës së Ftohtë.
“Nga pikëpamja ushtarako-politike dhe gjeopolitike, mjedisi global tani për fat të keq është shumë i ngjashëm me atë që ishte (gjatë Luftës së Ftohtë), i ngarkuar me ndjenjën e rëndë të një lufte të afërt”.
Ajo ka thënë se bunkeri mund të kthehet në shërbim në rast të luftës, por me armët bërthamore që janë bërë shumë më të fuqishme, “bunkeri nuk do të ishte i dobishëm sa ishte menduar të ishte kur u ndërtua”.
Në Rumani, ish-fabrika gjigante e kripës “Salina Turda”, tani atraksion turistik, është në listën e Qeverisë si strehimore e mundshme.
Shumë udhëtarë urbanë çdo ditë kalojnë nëpër strehët pa e kuptuar këtë, teksa udhëtojnë në metro nëpër qytetet si Varshava, Praga dhe Budapesti.
“E kemi matur se sa njerëz mund të futeshin nëpër trena në krejt gjatësinë e metrosë, stacioneve të metrosë dhe hapësira të tjera nëntokësore”, ka thënë Michal Domardzki, drejtor i menaxhimit të sigurisë dhe krizave në qytetin e Varshavës. “Ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë popullatën”.
Attila Guluas, president i Sindikatës së Punëtorëve të Transportit Urban në kryeqytetin hungarez, është përfshirë në testimet e rregullta të linjave të metrosë nëpër qytet. Ai është trajnuar për të strehuar mijëra njerëz në linjën dy të metrosë së Budapestit.
Mirëpo me Rusinë që ka nisur luftën energjetike kundër Evropës dhe çmimet e larta të energjisë elektrike, për shumë njerëz shqetësimi kryesor është se si ta kalojnë dimrin.
Sorin Ionita, komentuese në Forumin e Ekspertëve në Bukuresht të Rumanisë, ka thënë se shumë njerëz e mendojnë si të pamundur sulmin bërthamor nga Rusia pasi nuk do t’i sillte ndonjë avantazh të madh ushtarak. Megjithatë, kërcënimet e Putinit shtojnë ndjenjën e përgjithshme të ankthit në një botë të trazuar.
{gallery}