Botë

Erdogani në vizitën historike në Greqi: S’ka asnjë problem që nuk mund të zgjidhet

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se nuk ka asnjë problem mes Turqisë dhe Greqisë që nuk mund të zgjidhet.

Erdogani udhëtoi sot në Athinë për vizitën që mund të cilësohet historike, pasi është hera e dytë në 70 vjet që një president turk shkon në Greqi, mes mosmarrëveshjeve të shumta mes të dyja vendeve.

“Ne shpresojmë të zgjidhim problemet tona përmes dialogut konstruktiv, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë.

Ai shtoi se është në interes të të gjithë rajonit që të arrihet një zgjidhje e drejtë, e përhershme dhe e qëndrueshme për çështjen e Qipros.

“Ne duam ta kthejmë Detin Egje në një det paqeje dhe bashkëpunimi. Ne aspirojmë të japim shembull për botën me hapat e përbashkët që do të ndërmarrim si Turqi dhe Greqi”, ka shtuar Erdogan.

Për takimin, Erdogan ka thënë se të dyja palët shkëmbyen mendime për qëndrimet e tyre në lidhje me detin Egje dhe Mesdheun Lindor.

“Ne i kërkuam ministrave tanë të jashtëm që të diskutojnë këto çështje”, deklaroi Erdogan.

Turqia dhe Greqia ranë dakord gjithashtu të rrisin vëllimin aktual të tregtisë dypalëshe nga rreth 5 miliardë dollarë në 10 miliardë dollarë.

“Përveç kësaj, synimi ynë është të përmirësojmë marrëdhëniet tona në fushën e turizmit dhe kulturës”, shtoi presidenti turk.