Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke iu referuar zgjedhjeve të sotme parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në këtë vend, tha Turqia i ka dhënë leksion botës demokratike.
“Rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve u bënë të ditura, populli im më besoi detyrën e presidentit. Qytetarët i dhanë përgjegjësi të madhe Aleancës Popullore dhe AK Partisë duke ua besuar shumicën në Kuvend”, ka thënë Erdogan.
“Turqia gjithë botës i dha leksion mbi demokracinë me pjesëmarrje e cila arrin deri në 90 për qind. Shpresoj që askush nuk do të përpiqet që të vë njollë këtyre rezultateve dhe të dëmtojë demokracinë, në mënyrë që të fshehin dështimet e tyre”, ka thënë më tej ai, përcjell Reuters.
Ai shtoi se siguria e vendvotimeve dhe liria e votimit është tregues i fuqisë së demokracisë së Turqisë. Erdogan tha se do të vazhdojnë përpjekjet që Turqia të ecë para në çdo fushë.