Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Erdogan: Kancelari gjerman ka ndryshuar qëndrim, kërkon bazë të përbashkët me Rusinë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të mërkurën se kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj Rusisë duke thënë se duhet gjetur një bazë e përbashkët, shkroi agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency”.

Këtë deklaratë Erdogan e dha pas telefonatës të së martës me Olaf Scholzin, në të cilën ata biseduan mbi zhvillimet e fundit në luftën Rusi-Ukrainë.

“Kancelari i Gjermanisë vlerësoi përpjekjet e Turqisë për të ruajtur eksportet e drithit nga Ukraina përmes Iniciativës për drithërat e Detit të Zi”, tha një zëdhënës gjerman.

Më 22 korrik, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll për të rifilluar eksportet e drithit në Detin e Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.

Të shtunën, Rusia njoftoi se do të pezullonte pjesëmarrjen e saj në marrëveshje për atë që pretendonte se ishte një sulm ukrainas në flotën e saj të Detit të Zi në portin e Sevastopolit.

Të mërkurën gjatë ditës, Turqia dhe Rusia njoftuan kthimin e Moskës në zbatimin e marrëveshjes së grurit të Detit të Zi pas ndërmjetësimit të Ankarasë dhe OKB-së.