Botë

Emiratet e Bashkuara refuzojnë planin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza

Marco Rubio dhe Mohammed bin Zyed Al Nahyan

Marco Rubio dhe Mohammed bin Zyed Al Nahyan

Foto: Associated Press

Udhëheqësi i Emirateve të Bashkuara Arabe, presidenti Mohammed bin Zyed Al Nahyan, i ka thënë sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të mërkurën se vendi i tij refuzon idenë për të zhvendosur palestinezët nga toka e tyre, ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve në Emiratet ËAM.

Komentet e tij erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump propozoi marrjen nën kontroll të Gazës nga SHBA-ja dhe rivendosjen e banorëve të saj palestinezë në Jordani dhe Egjipt, duke shkaktuar kundërshtim të gjerë midis vendeve arabe dhe aleatëve perëndimorë, raporton Reuters.

Nahyan raportohet t’i ketë thënë sekretarit Rubio, gjatë një takimi në Abu Dhabit të mërkurën se ishte e rëndësishme të lidhej rindërtimi i Gazës me një rrugë që të çon në "një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete" për konfliktin izraelito-palestinez.

Qëndrimi i Emirateve të Bashkuara Arabe ndaj konfliktit është i rëndësishëm sepse është një nga katër vendet arabe që normalizuan lidhjet me Izraelin gjatë administratës së parë të Trumpit dhe sepse ka luajtur një rol në financimin e punës së rindërtimit pas konflikteve të mëparshme.

Diplomacia arabe synon të zhvillojë një alternativë ndaj planit të Trumpit për Gazën, pjesa më e madhe e të cilës qëndron në gërmadha pas ofensivës ushtarake 15-mujore të Izraelit kundër Hamasit, me pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët që tani janë të pastrehë.

Udhëheqësit e Egjiptit, Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Katarit pritet të diskutojnë planin në Riad këtë muaj përpara se të paraqitet në një samit të Ligës Arabe në Kajro në mars.