Popullsia e Kanadasë u rrit me mbi një milion njerëz për herë të parë vitin e kaluar, ka thënë Qeveria.
Popullsia e vendit u rrit nga 38.516.135 në 39.566.248 njerëz, thonë statistikat në Kanada, shkruan BBC.
Kjo shënoi gjithashtu normën më të lartë vjetore të rritjes së popullsisë së Kanadasë, 2.7 për qind, që nga viti 1957.
Rritja u nxit pjesërisht nga përpjekjet e qeverisë për të marrë emigrantë në vend për të lehtsuar mungesën e fuqisë punëtore, thanë Statistikat e Kanadasë.
Por Statistikat e Kanadasë thanë se rritja e numrit të emigrantëve të përhershëm dhe të përkohshëm mund të “paraqesë gjithashtu sfida shtesë për disa rajone të vendit lidhur me strehimin, infrastrukturën dhe transportin, si dhe ofrimin e shërbimeve për popullatën”.
Migrimi ndërkombëtar përbën gati 96 për qind të rritjes së popullsisë, sipas njoftimit.
Kryeministri Justin Trudeau ka bërë përpjekje për të tërhequr më shumë emigrantë në vend që kur mori pushtetin në vitin 2015. Vitin e kaluar, qeveria njoftoi një plan për të mirëpritur gjysmë milioni emigrantë në vit deri në vitin 2025.