Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

EMA-ja gjen “lidhjen e mundshme” mes vaksinës “J&J” dhe mpiksjes së gjakut

Ekspertë të Agjencisë Evropiane për Barna kanë bërë të ditur të martën se kanë gjetur një “lidhje të mundshme” midis vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë “Johnson & Johnson” dhe mpiksjes shumë të rrallë të gjakut, pas raportimit të rasteve të tilla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirëpo ekspertët kanë konfirmuar se përfitimet prej vaksinës peshojnë më rëndë sesa rreziqet shumë të rralla, të shfaqura vetëm mes një numri të vogël të marrësve të kurës. EMA ka bërë të ditur se paralajmërimi për rrezikun e mpiksjes së gjakut tani duhet të përfshihet në etiketat e kësaj vaksine.

Ndërkaq ka njoftuar se telashet me gjakun duhet të konsiderohen si “efekte anësore shumë të rralla të vaksinës”.

Javën e shkuar “Johnson & Johnson” kishte ndërprerë shpërndarjen e vaksinave në Evropë, pasi zyrtarët amerikanë e rekomanduan pauzimin e përdorimit të saj, pas gjashtë rasteve të mpiksjes së gjakut të raportuara mes afro 7 milionë marrësve.