Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se elefantët, të cilët kishin shkuar për të kërkuar ushqim në kampin Kutupalong, ku po qëndrojnë myslimanë të Arakanit nga Mianmari, në rajonin Cox's Bazaar të Bangladeshit, kanë vrarë 10 persona.
Në deklaratën e bërë nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), thuhet se 10 myslimanë të Arakanit janë vrarë nga elefantët të cilët kanë qenë në kërkim të ushqimit.
“Vendi i cili është ndarë për refugjatët në kampin Kutupalong, është një ndër zonat e rëndësishme jetike për elefantët e Azisë që nga kohët e lashta. Në rajon gjenden rreth 40 elefantë dhe këta gjithmonë janë në kërkim të ushqimit mes Bangladeshit dhe Mianmarit”, theksohet në deklaratë.
UNHCR shprehu keqardhje në lidhje me ngjarjen fatkeqe, ndërsa u theksua se do të tregohet përpjekje më e madhe që të mos ndodhin raste të tilla si dhe për parandalimin e vdekjeve.
Gjithashtu u theksua se UNHCR ka arritur marrëveshje partneriteti me Unionin Botëror për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) e cila i ndihmon njerëzve në Bangladesh të jetojnë me elefantët e egër.
Spastrimi etnik ndaj myslimanëve të Arakanit
Sipas të dhënave të publikuara nga OKB-ja, rreth 700 mijë myslimanë të Arakanit janë strehuar në Bangladesh që nga 25 gushti i vitit të kaluar, si pasojë e dhunës në Mianmar. Supozohet se në vitet e 70-ta në Arakan kanë jetuar afro dy milionë myslimanë ndërsa për shkak të ikjes nga sulmet sistematike, ky numër është zvogëluar në 350 mijë.
Nga ana tjetër, sipas pamjeve satelitore të publikuara nga organizatat për të drejtat e njeriut, në rajon janë djegur mbi 350 fshatra të myslimanëve.