Lideri i partisë së ekstremit të djathtë të Francës, “Tubimit Kombëtar” (RN), Jordan Bardella, ka mirëpritur "për pjesën më të madhe" shqetësimet e ngritura në lidhje me Evropën në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë publikoi një dokument që përshkruante vizionin e Trumpit për botën dhe gjendjen e kontinentit evropian, të cilin shumë e kanë karakterizuar si kritik të ashpër ndaj Evropës.
Duke folur për BBC-në, Bardella vlerësoi atë që ai e quajti "apel për krenarinë amerikane" të Trumpit - por ai e bëri të qartë se nuk donte që Evropa të ishte "e nënshtruar ndaj ndonjë fuqie të madhe".
Ai tha se kishte një "erë lirie, krenarie kombëtare që frynte në të gjitha demokracitë perëndimore".
Në një intervistë të gjerë, 30-vjeçari, për të cilin sondazhet e opinionit sugjerojnë kryesim në garën për t'u bërë presidenti i ardhshëm i Francës, u sfidua gjithashtu për historinë politike të RN-së dhe qëndrimin e tij ndaj imigracionit.
Bardella tha se ndante shumicën e shqetësimeve të shprehura nga administrata Trump në lidhje me Evropën që përballet me "zhdukjen e qytetërimit", për të cilën Shtëpia e Bardhë tha se po nxitet nga një sërë politikash, përfshirë edhe migracionin.
"Imigracioni masiv dhe pakujdesia e qeverive tona në 30 vjetët e fundit në lidhje me politikën e migracionit po trondisin ekuilibrin e vendeve evropiane, të shoqërive perëndimore dhe përkatësisht të shoqërisë franceze", tha Bardella.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor 2024 e bënë RN-n forcën më të madhe të vetme në parlament, megjithëse një aleancë e partive të krahut të majtë siguroi fitoren.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale franceze do të mbahen në vitin 2027. Një sondazh i bërë së fundmi për Le Figaro sugjeron se Bardella do të fitonte me 44% të votave, pak përpara Marine Le Pen, figurës kryesore të RN-s, kandidatura e së cilës është në dyshim pasi ajo u shpall fajtore për përvetësim të fondeve të BE-së dhe iu ndalua të kandidonte në zgjedhje për pesë vjet.
Një apel që pritet në fillim të vitit të ardhshëm do të përcaktojë nëse Le Pen mund të kandidojë - përndryshe, pritet që Bardella ta zëvendësojë atë.
Bardella hodhi poshtë sugjerimet se kjo po shkaktonte tensione midis tyre, duke deklaruar se ata ishin të bashkuar nga "besimi dhe miqësia".
"Unë do të luftoj në krah të saj në mënyrë që ajo të fitojë apelin. Deri në apel do të bëjmë fushatë së bashku, siç do të bëjmë edhe më pas, dorë për dore", tha ai në intervistën e tij.
RN-ja u themelua nga babai i Le Pen, Jean-Marie, në vitin 1972. I njohur atëherë si Fronti Kombëtar (FN), që atëherë është bërë një forcë vendimtare në politikën franceze. Jean-Marie Le Pen u dënua disa herë për mohimin e Holokaustit dhe ishte një ekstremist i papenduar për sa i përket racës.