Një ekspert i njohur britanik i krokodilëve është dënuar me 10 vjet e pesë muaj burgim në Australi, pasi ka pranuar se kishte abuzuar seksualisht dhjetëra qen, një rast që ka tmerruar vendin.
Adam Britton, zoolog që ka punuar me BBC-në dhe National Geographic, u deklarua fajtor për 56 akuza për mizori ndaj kafshëve.
Ai po ashtu pranoi katër akuza për qasje në materiale të abuzimit të fëmijëve.
Gjykata dëgjoi se 53-vjeçari xhiroi veten duke torturuar kafshët deri sa gati ngordhën, dhe më pas shpërndau videot në internet, raportoi BBC.
Abuzimi i tij kaloi vite pa u vënë re, deri kur u gjet një gjurmë e tij në videot. Britton u arrestua në prill 2022 pas një kërkimi në pronën e tij, ku u zbulua edhe materiali i abuzimit të fëmijëve në laptopin e tij.
Ndërsa faktet prezantoheshin në gjykatë, disa prej qytetarëve në audiencë u larguan me vrap jashtë. Të tjerë qanin dhe shanin Brittonin.
Avokati i Brittonit ka argumentuar se veprat e tij janë nxitur nga një çrregullim i rrallë që shkakton interesa seksuale jo të zakonshme.
Britton ka torturuar të paktën 42 qen, prej tyre 39 i ka vrarë. Dosja e tij jep detaje për krimet përgjatë 18 muajve para arrestimit të tij, po sërish ajo mbush plot 90 faqe.
Ai shpesh ka marrë qentë e të tjerëve që zakonisht udhëtojnë dhe kërkojnë për një kujdestar. Në dokumente thuhet se ai negocionte pronësinë dhe më pas nëse ia kërkonin, ai u dërgonte foto të vjetra të qenve.
Në realitet, ai i abuzonte këto kafshë në një kontejner që e posedonte dhe ku kishte instaluar pajisjet për xhirim. Atë e quante “dhomën e torturës”. Nga aty publikonte pamjet e krimeve të tij.
Kur u pyet se si i zhdukte mbetjet e qenve, Britton ka thënë se disa prej tyre ua hidhte për ushqim kafshëve të tjera.