Ekipet e shpëtimit në Turqinë jugore thonë se janë ende duke dëgjuar zëra nga nën rrënojat më shumë se një javë pas një tërmeti shkatërrues 7.8 ballësh.
Sipas tyre kjo është një fije shprese për të gjetur më shumë të mbijetuar.
Imazhet e drejtpërdrejta të transmetuara në degën e CNN-it turk treguan shpëtimtarët që punonin në dy zona të rajonit të Kahramanmarashit, ku po përpiqeshin të shpëtonin tri motra që besohej se ishin nën rrënoja.
Në të njëjtin rajon, ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë një djalë 18-vjeçar dhe një burrë nga rrënojat të martën, një ditë pasi shpëtuan një vajzë 10-vjeçare që besohet se ishte nën rrënoja për rreth 185 orë.
Tetë ditë pas tërmetit dhe pasgoditjeve të tij të fuqishme, më shumë se 37,000 njerëz janë konfirmuar të vdekur dhe historitë e mbijetesës po bëhen të pakta.
Të hënën, shefi i ndihmës i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, tha gjatë një vizite në qytetin verior të Sirisë, Aleppo, se fazës së shpëtimit “po i afrohej fundit”.
Edhe
OBSH-ja i druan përhapjes së sëmundjeve në Turqi e Siri
“Dhe tani faza humanitare, urgjenca e sigurimit të strehimit, kujdesit psikosocial, ushqimit, shkollimit dhe ndjenjës së së ardhmes për këta njerëz, ky është detyrimi ynë tani”, tha ai.
Pas shpalljes së përfundimit të operacionit të tyre të kërkim-shpëtimit javën e kaluar, grupi Helmetat e Bardha, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, shpalli të hënën një periudhë zie shtatëditore në zonat e kontrolluara nga rebelët në veri të vendit.
Të hënën, OKB-ja tha se përshëndeti vendimin e presidentit sirian Bashar al-Assad për të hapur dy pika të tjera kufitare midis Turqisë dhe Sirisë për të lejuar ndihmën në veri të vendit.