Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Egjiptiani që pa me sy katastrofën në Derna

Një egjiptian u ka mbijetuar përmbytjeve në Derna të Libisë dhe ka rrëfyer për natën e tmerrit.

Më shumë se 11 mijë persona kanë vdekur nga shpërthimi i dy digave pas shiut të madh që përfshiu qytetin libian të dielën dhe të hënën.

I mbijetuari Rashad Ezzat Abdel-Hamid ka rrëfyer se me shtatë persona të tjerë janë ngjitur në çatinë e ndërtesës trekatëshe kur uji në formë të murit përmbyti rrugët e qytetit.

“Jemi ngjitur në çati kur uji përmbyti katin e parë, pas një orë e gjysmë uji nisi të largohej. Filluam të vraponim në rrugë kur uji ishte një metër, kjo ishte krejt në fund. Gjetëm shtëpi të rrënuara mbi njerëz. Punëtorët egjiptianë e njohin njëri-tjetrin dhe e dinim ku jetonim. Kemi lënë njerëz nën rrënoja dhe vendosëm të shpëtonim njerëzit që mund t’i gjenim të gjallë, por në baltë gjetëm të vdekur. I kemi bartur ata në vendet më të larta”.

Përmbytja ishte fatale për qindra njerëz në pak sekonda, duke rrënuar ndërtesa të tëra.

“Kemi vendosur diku 40 trupa në një vend, ndërkaq në xhaminë e lagjes Gubeira tubuam 20 trupa të tjerë. Po llogaris vetëm egjiptianë. Ndërkaq në lagjet libiane kemi tubuar trupa të fëmijëve, të rinjve, burra e grave. Kemi tubuar çfarë kemi mundur sepse nuk ka kombësi në këtë katastrofë. Katastrofa është kundër të gjithëve”.

Numër më i madh i të vdekurve është në zonat urbane të qytetit.

“Kemi gjetur shtëpi me 30 trupa të vdekur, në një tjetër kanë qenë 12 të vdekur dhe dy të gjallë”.

Abdel-Hamid është kthyer në Egjipt të enjten, për t’u bashkuar me familjen e tij.

Artikuj të ngjashëm