Yulia Navalnaya, vejusha e opozitarit të ndjerë rus Alexei Navalny, u ka bërë thirrje qytetarëve rusë që të protestojnë në ditën e zgjedhjeve kundër presidentit rus Vladimir Putin.
Si mënyrë e protestës, ajo thotë se njerëzit duhet të bëjnë radhë të gjata në qendra zgjedhore më 17 mars në mesditë.
“Ne duhet të përdorim këto zgjedhje të tregojmë se ekzistojmë dhe ka shumë prej nesh”, ka thënë ajo në një videomesazh.
Alexei Navalny vdiq në një koloni penale ruse më 16 shkurt. Navalnaya ka fajësuar Putinin për vdekjen e tij.
Thirrja e saj për protesta në ditën e zgjedhjeve është quajtur “Mesditë kundër Putinit”.
Edhe
Një vit nga vdekja e Navalnyt, e veja e tij akuzon Putinin për fshehjen e së vërtetës
Zgjedhjet presidenciale në Rusi – për të cilat shumë mbikëqyrës ndërkombëtarë nuk besojnë se do të jenë të lira dhe fer – do të mbahen nga 15 deri më 17 mars. Putini gjerësisht pritet të fitojë mandatin e tij të pestë.
Navalnaya ka thënë se dalja në qendra të votimit në të njëjtën kohë “është veprim shumë i thjeshtë dhe i sigurt” që nuk mund të ndalohet nga autoritetet, por do të lejonte njerëzit të kuptonin “se ka shumë nga ne dhe jemi të fortë”.
Njerëzit më pas mund të votojnë për çdo kandidat me përjashtim të presidentit Putin, mund të prishin fletëvotimin duke shkruar me të madhe “Navalny”, ka thënë Navalnaya.
Ideja e tubimit në qendrat e votimit ishte propozuar nga Alexei Navalny dy javë para vdekjes së tij.
Edhe
E veja e Navalnyt thotë se do të garojë për presidente të Rusisë
Navalny – që vazhdoi të mbante prezencën në rrjete sociale edhe nga burgu, nëpërmjet mesazheve të postuara nga avokatët e tij – shkroi në platformën “X” se protesta në ditën e zgjedhjeve ka gjasa të jetë një veprim i vërtetë “i plotë rusë...në dispozicion të gjithëve, kudo që janë”.
“Miliona mund të jenë në gjendje të marrin pjesë. Dhe dhjetëra miliona do të jenë dëshmitarë”, shkroi Navalny.